Ngjarje

Atentati i dështuar te Liqeni Artificial, autori i dyshuar: Doja të qëlloja një person tjetër!

Gazeta Si - Një ditë pas arrestimit, autori i dyshuar i atentatit të dështuar ndaj administratorit të një shkolle private në Tiranë par 3 muajsh, pretendon se ka ngatërruar shënjestër.

Skerdi Tasi, i arrestuar një ditë më parë, ka thënë para grupit hetimor se nuk e njihte Lulzim Mashën, duke pohuar se gjithçka ka qenë aksidentale.

Ai rrëfen se ka pasur konflikt me një person tjetër dy javë para ngjarjes që kishte makinën e njëjtë si Masha, ndaj nxori armën për ta qëlluar.

“Nuk më kujtohet sa ka qenë ora, kam parë një automjet ‘ML’ me targa Tirane, për të cilin mendova se ishte e një personi që dy javë më parë kisha një debat. Në momentin që pashë automjetin kam nxjerrë një armë zjarri të tipit automatike skorpions dhe kam qëlluar mbi makinën”,  ka rrëfyer ai.

Pasi zbuloi se ishte person tjetër, ai u largua me vrap, hodhi armën në ujërat e Liqenit Artificial dhe mori një furgon për të udhëtuar drejt Fierit.

“Në momentin që e pashë se personi që ishte në makinë nuk ishte ai që prisja, ndalova së qëlluari dhe u largova me vrap, - vijon Tasi, - por kam vënë re se drejtuesi i automjetit iku disa metra përpara dhe u kthye me makinë sërish”.

Ai thotë se mori rrugën dytësore paralel me autostradën, duke marrë drejtimin për nga diga e liqenit. “Armën e kam futur poshtë xhupit për ta fshehur. Pasi kam ecur rreth 300 metra, e hodha atë në ujërat e liqenit rreth 10-15 metra nga bregu, vend të cilin e mbaj mend vetëm po të afrohem atje”, - vijon i riu.

Më pas, sipas dëshmisë, 31-vjeçari ka ecur në këmbë deri te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, ku pasi mbërriti atje ka marrë një furgon për të udhëtuar drejt Fierit”.

Sa i takon armës së zjarrit, Tasi shton se e kishte në banesën e tij në Levan që prej trazirave të vitit 1997. “Në Tiranë e kam sjellë disa ditë para se të ndodhte ngjarja, e kisha fshehur në parkun e Liqenit Artificial”.

Të martën e 18 janarit, 31-vjeçari akuzohet se qëlloi me 3 plumba në drejtim të automjetit tip “Mercedez Benz ML”, ku 63-vjeçari Lulëzim Masha po lëvizte.

Identifikimi i autorit u bë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në disa zona të ndryshme rreth e përqark Liqenit Artificial dhe dëshmisë së disa personave në vendngjarje.

I riu akuzohet për dy vepra penale, “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Lulzim Masha, gjatë kësaj kohe kishte kërkuar mbrojtje nga shteti. Pas ngjarjes, 63-vjeçari, i cili për fat të mirë nuk pësoi lëndime në trup nga plumbat, ka mohuar të kishte qenë shënjestra e autorëve.

Por më pas, ai ka pranuar se prej të paktën një jave kishte vënë re një person që e mbante nën vëzhgim.

Një tjetër pistë e fortë e grupit hetimor, ka qenë edhe e shkuara e vëllait të Lulzim Mashës, Fatmirit, pasi rezultonte person me precedentë dhe hetuesit kanë pasur dyshime se mos atentati ishte bërë për hakmarrje. Por ai ka mohuar të kishte dijeni për ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë