Treg

Biznesi jo dhe aq i ëmbël i mjaltit shqiptar

Mjalti është konsideruar gjithnjë si një biznes i ëmbël nga të ardhurat që sjell dhe produkti që prodhon por problemet që i shoqërojnë prej vitesh prodhuesit e tij, veç të ëmbla nuk janë.

Përpos pesticideve të përdorura pa kriter, mungesa e subvencioneve për fermerët e vegjël, informaliteti, gjetja e tregut dhe eksportet janë sfidat me të cilat përballen përditë bletërritësit.

Shoqata e Bletarëve dhe fermerët e anëtarësuar në të, prej kohësh kërkojnë zgjidhje të halleve të tyre.

Në dyert e institucioneve

Fermerët e vegjël ndeshen me jo pak vështirësi. Humbjet e shumta sipas tyre shpesh mbesin jashtë vëmendjes së institucioneve dhe i detyrojnë ata të përplasen nëpër dyert e ministrisë, ndonjëherë pa përgjigjie.

Ata duhet të bëjnë vetë të gjithë zinxhirin e punës, nga rritja, prodhimi, kultivimi dhe grumbullimi i bletëve deri tek gjetja e tregut të shitjes e marketingu. Një zhinxhir që sipas tyre duhet të jetë i mirëstrukturuar në mënyrë që për çdo hallkë të ketë specialistë përkatës.

Megjithatë, është duke u punuar një ligj për bletarinë nga Ministria e Bujqësisë për të cilin fermerët mendojnë se do të jetë një rregullator ku do të sanksionohen një pjesë e mirë e problemeve që ata hasin.

Subvencionet e pamjaftueshme

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, parashikon këtë vit subvencionimin deri në 150 mijë lekë të bletarëve, për numrin e koshereve që kanë në ferma.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, të gjithë bletarët përfitojnë subvencionim nga 1 mijë lekë për zgjua, për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere, por jo më shumë se 150 mijë lekë për subjekt.

Por sipas fermerëve, subvencionimet nuk duhet vetëm të bëhen në bazë të numrit të koshereve por për njësi prodhimi, pra për kg mjaltë të dorëzuar apo të shitur me dokumente të rregullta. Një tjetër problem sipas tyre është fakti që subvencionet të cilat jepen për koshere shumë pak shkojnë aty ku duhet, pasi shumica e fermave bujqësore në Shqipëri janë ferma të përziera dhe kur fermeri merr paratë për numrin e koshereve me bletë, i shpenzon ato para aty ku ka më shumë nevojë për momentin.

Përdorimi pa kriter i pesticideve

Faktori kryesor që po ndikon negativisht në mbarështimin e bletëve është përdorimi i pesticideve i cili po shkakton humbjen në masë të tyre.

Jurgen Shqefni, mjek veteriner

Përfaqësues nga “Shoqata e Bletarëve Shqiptarë” thonë se ka do vite që bletërritësit hasen më këtë problematikë.

Jurgen Shqefni, bletërritës por njëkohësisht edhe mjek veteriner shprehet për Gazetasi.al se nëse bëhen trajtimet e nevojshme, atëherë do të ketë më pak humbje.

“Pesticidet e përdorura disa herë tek bimët, pa kriter, veprojnë në sistemin nervor të bletëve duke shkaktuar helmimin dhe më pas humbjen progresive të tyre. Në vijë ajrore deri në 2-3km dallohet kur dikush ka bërë spërkatje.

Ka dhe pesticide specifike jo aq të dëmshme por fermerët përgjithësisht udhëhiqen nga kostot më të lira”,thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se në raste të tilla nevojitet trajtim i posaçëm.

Problematika të tjera që ai ndërmend dhe thekson se kanë prekur në masë të gjithë territorin shqiptar janë edhe Varrotoza, sëmundje parazitare sëbashku me CCD(colony colaps disorder) që po shkaktojnë humbje të shumë kolonive të bletëve.

Shqefni duke bërë një kontroll në prag përfundimi të dimrit. Dëgjim me fonendoskop

Eugen Skermo, nënkryetar i Federatës Kombëtare të Bletërritësve dhe administrator i mjaltit “Morava” shton për Gazetasi.al se tjetër problem është përdorimi i preparateve për luftimin e sëmundjeve të bletës.

‘Shumë luftë’ me informalitetin

Te mjalti të duhet të “luftosh shumë” me informalitetin. Ka individë të paregjistruar, që nuk paguajnë taksë, nuk regjistrojnë shitje dhe produkti nuk kalon asnjë filtër kontrolli.

“Qarkullojnë shumë nga këto që nuk janë të licensuara, hyjnë kontrabandë por ka dhe individë të ndryshëm qe aplikojnë perzierje të rrezikshme ilaçesh për luftimin e sëmundjeve të bletëve pa asnjë kontroll nga instancat shtetërore të cilat shiten në të zezë. Shkaktojnë humbje në koloni por më e rrezikshmja është që lënë mbetje në mjalt që pastaj konsumohen nga njerëzit”, shton ai.

Eksportet, sfidë më vete

Mjalti është një produkt i vështirë për t’u shitur, sidomos në eksport.

Skermo thotë për Gazetasi.al se mjalti është produkt me origjinë shtazore ndaj ne e kemi të pamundur të eksportojmë në Europë dhe për rrjedhojë duhen gjetur tregje alternative në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë.

Eugen Skermo, nënkryetar i Federatës Kombëtare të Bletërritësve dhe administrator i mjaltit “Morava”

“Problematika ka gjithmonë në eksport pasi mjalti del me kosto shumë të lartë dhe nuk jemi konkurrues në tregun e huaj. Pavarësisht cilësisë së mirë që kemi.

Duhet një plan masash që të nxisim rritjen e rendimentit të prodhimit për koshere blete por dhe ndihmën që duhet të japë shteti me subvencionime,me skema më efikase që të rrisin prodhimin dhe të hiqet informaliteti në këtë fushë.Duhet të rritet numri i bletarëve profesionistë që të kemi mundësi të rrisim numrin e koshereve dhe ta kenë punë primare profesionin e bletarit. Pa një bletari moderne nuk mund të eksportojme mjaltin, qoftë dhe në vendet fqinje.

Për të futur produktet e bletarisë në rrjetin e marketeve dhe supermarketeve në vend nuk është aspak e vështirë, duhet t’i përshtatesh kërkesave që kanë këto biznese. Si kudo në botë duhet të paguash që të jesh prezent në raftet e marketeve pastaj vjen risku nëse do shitet produkti apo jo. Duhen fushata marketingu që kanë një kosto dhe këtë nuk mund ta bëjë çdo bletar që prodhon mjalt”, thotë ai për Gazetasi.al.

Por vështirësitë nuk i kanë ndalur të apasionuarit pas bletëve që të sjellin risi në tregun shqiptar.

E ëmbla e biznesit të mjaltit dhe risitë në këtë drejtim

Qumështi i bletës ose siç njihet ndryshe “xhelatina mbretërore”, ka patur një shpërthim vitet e fundit dhe jo pavend. Të shumtë janë shqiptarët që paguajnë, shifra jo të vogla, për një produkt në sasi të limituara. 

Herëdokur i kërkuar për vlerat e shumta të tij, ai përdoret sot për të shëruar një gamë të gjerë sëmundjesh duke nisur që nga infertiliteti, sëmundjet tumoriale, astma e gjer në produktet kozmetike.

Shqefni rrëfen për Gazetasi.al se duke vijuar linjën profesionale të trashëguar nga i ati sëbashku me korrektesën në punë, ka arritur të ketë kërkesa të shumta lidhur me qumështin e bletës, etiketën e së cilit ai ka menduar ta emërtoje “Albeenia”, si një gërshetim të zgjatur mes traditës, identitetit dhe bletëve.

“Kërkesat për qumështin e bletës janë në rritje sepse njerëzit sa vijnë dhe ndërgjegjësohen për vetitë kuruese të tij. Kostoja e tij është relativisht e shtrenjtë, ndaj me dyqanet Bio Shop hasim jo pak herë rezistencë sepse kanë nisur ta tregtojnë në çmime shumë më të lira nga se supozohet të jenë, duke nxitur informalitetin.

Ato mundohen të promovojnë shpesh produkte pa etiketë, ose me origjinë të dyshimtë për të patur përfitim. Produktet sintetike i tregtojnë si qumësht blete”, thotë ai për Gazetasi.al.

Pasioni për të punuar në këtë drejtim, e ka nxitur Jurgenin të sjellë bukën e bletës, risi në tregun shqiptar, e cila ka treguar rezultate të jashtëzakonshme në shërimin e shumë sëmundjeve kardiovaskulare dhe anemive.

Buka e bletës

“Poloni i zakonshëm ka 18% përthithje të vlerave ushqyese ndërsa buka e bletës ka 80%.Ajo mbart edhe përmbajtje probiotikësh që gjithashtu janë shumë të shëndetshëm për aparatin tretës”, rrëfen ai për Gazetasi.al duke përmendur edhe eliksirin e bletës që ofron, një përzierje unike e mjaltit shumëlulesh, qumështit të bletës,propolisit dhe polenit.

Bletërritësit thonë për Gazetasi.al se çdo vit mesatarisht ka 20% humbje në bletari.

Deri në këto momente, panorama e këtij viti nuk duket fort optimiste dhe rikuperimi i humbjeve është në dorë të kushteve optimale klimaterike. Ata shprehen se ne kemi rendimentin më të ulët në rajon për koshere blete, 10-15 kilogramë, ndërkohë që në Greqi është 40-50 kilogramë dhe 90 kilogramë në Turqi.

Thuajse të gjithë, tek shtojnë se i duhet kushtuar rëndësi jetike bletëve ndërmendin citatin e Einstein i cili ka thënë se: “Nëse bletët zhduken, jo më shumë se 4 vite më vonë do të zhduket edhe njerëzimi…”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë