Libra

‘Nuk kam asnjë peng’, një libër për Rikard Ljarjan si një plotësim amaneti

Nga Luljeta Nelallari - "... Diku më sipër më doli pyetja: ç’është atdheu? Vërtet ç’është atdheu? A nuk jam unë atdheu, gruaja dhe fëmijët, oborri im, toka ku kam mbjellë sivjet bostan a grurë, a nuk është atdheu komshiu im, lagjja, fshati përkarshi, ai lumi që s’pushon së rrjedhuri, a nuk është atdheu gjuha që flasim, këngët që këndojmë e vaji, e gjama, a nuk është atdheu varret e gjyshërve e stërgjyshërve, a nuk është atdhe gjithçka nën këtë tokë e mbi këtë tokë deri tek flamuri? Sigurisht që ky është atdheu. Një piramidë që fillon tek unë e mbaron te flamuri. Po për shumëkënd ndoshta për shkaqe të kota, ndoshta edhe madhore, nga komplekse të ngatërruara psikologjike, pronësie, grindje, xhelozie, inferioriteti, karakteri... Lind pyetja: O atdhe, po të mbroj, po ti ç’po bën për mua?...

Ky është një ndër shkrimet e aktorit dhe regjisorit të njohur të skenës dhe ekranit, Rikard Ljarja, pjesë e librit më të ri “Nuk kam asnjë peng”.

Ky shkrim i vitit 1994 dhe plot të tjera të aktorit Rikard Ljarja nga viti 1991 dhe intervistat në shtypin e kohës (të pakta në numër) vijnë në librin “Rikard Ljarja - Nuk kam asnjë peng” nga shtëpia botuese “Onufri”.  

Libri "Nuk kam asnjë peng"

Përveç shkrimeve të ndryshme, libri sjell edhe disa foto të rralla familjare të Rikardit, (duke filluar nga fëmijëria e deri në vitet e fundit të jetës), foto të posterave dhe disa prej roleve më të spikatura të tij në kinematografi, që kanë lënë gjurmë tek shikuesit dhe adhuruesit e shumtë të tij, kopertina të librave të shkruara nga vetë Rikardi, punime të tija në pikturë (ku me një pjesë të tyre ishte dekoruar ambienti ku u zhvillua eventi përkujtimor).

“Nuk kam asnjë peng” u promovua të premten e 1 prillit, si një dëshirë e bashkëshortes së tij, Marjeta Ljarja për të përkujtuar e festuar 79-vjetorin e tij në krah të miqve e figurave të njohura të artit shqiptar.  

Gati dy vjet pas ndarjes së Rikardit nga jeta, libri vjen i përgatitur për botim nga studiuesi Dashnor Kaloçi dhe vetë bashkëshortja e tij, Marjeta Ljarja.

Studiuesi Kaloçi thotë për Gazetasi.al se si për të respektuar një dëshirë të Rikardit, libri kushtuar atij, përmban vetëm shkrime të tij, intervista të dhëna në organe të ndryshme të shtypit dhe medias vizive, apo dhe shkrime që kanë bërë të tjerët për të, të cilat i përkasin një periudhe kohore që nga vitet ’90-‘91 e deri para ndarjes së tij nga jeta, 20 prill 2020.

“Intervistat e tij për shtypin e kohës janë të pakta. Ai në përgjithësi nuk preferonte të intervistohej. Duke qenë se isha mik i afërt i tij, më tregonte shumë histori mbi personazhet që ai ka interpretuar, por kurrë nuk i kam botuar ato që tregonte, përveçse një interviste të 2005-s që është e përfshirë edhe në libër”, shprehet Kaloçi për Gazetasi.al, ndërsa shton se për të arritur në finalizimin e librit u është dashur një periudhë kohore, 1 vit e gjysmë, së bashku me bashkëshorten e Rikardit.

Kaloçi thotë se Rikardi iku pa pengje, i kishte arritur gjërat që kishte dashur në jetë, ndaj sipas tij, edhe libri u mendua të vinte me titullin “Nuk kam asnjë peng”.

Regjisori Mevlan Shanaj, si një mik i afërt i tij ndan për Gazetasi.al edhe një shprehje të Rikardit:

“1 prilli është datëlindja ime, dita e rrenave, por unë nuk kam gënjyer’, do të dëshmonte Rikardi në një media elektronike. Prej kohës së këtij pohimi kanë kaluar disa vjet, por ai vijon të jetë mesh nesh me veprën e tij”, thotë Shanaj.

Botimin e librit të tij, regjisori e quan një gjest fisnik. Sipas tij, ky libër na bën të meditojmë për artin e tij shumëdimensional.

“Marjeta Ljarja kishte bërë kujdes që këtë 1 prill të na mblidhte për të qenë me Rikardin përmes librit ‘Nuk kam asnjë peng’. Një gjest fisnik ta kesh Rikardin përmes shkronjave dhe pikturave apo fotove të grumbulluara mençurisht! Kjo ishte vepra e fundit që na erdhi nga Rikardi. Paraqitja dinjitoze e legjendës së ekranit shqiptar na bëri të meditojmë për shtrirjen e thellë të artit të tij shumëdimensional. Aktori i famshëm i kinemasë moderne që nga ‘Komisari i dritës’, ‘Deda’ e deri te ‘Fletë të bardha’ apo regjisori i ‘Radiostacioni’ e shumë filmave të tjerë, ku disa herë edhe si skenarist ishte mes nesh siç e kemi njohur! I ditur, modest, edhe si muzikant, piktor, shkrimtar!”, shprehet Shanaj për Gazetasi.al.

Shanaj thotë se me këtë libër na vjen rasti edhe njëherë të vëmë në dukje figurën unikale të aktorit Rikard Ljarja.

“Është rasti të theksojmë se në ekranin shqiptar nuk ka pasur një figurë tjetër kaq unikale. Marjeta na mundësoi të rishihnim madhështinë që ka emrin Rikard”, vijon Shanaj për Gazetasi.al.

Ndërsa, Marjeta Larja do të shprehej se me këtë zgjedhje të përmbajtjes së librit, sikur përmbushte një amanet të Rikardit, pasi ai nuk i kishte qejf bujën, elozhet e lavdërimet.

Rikard Ljarja u shua në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë