Treg

Shqipëria nuk i ndëshkon dot për vonesat kompanitë e fluturimeve

Sabina Veizaj – Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar nuk ka asnjë kompetencë për të penalizuar kompanitë e huaja ajrore që operojnë në territorin shqiptar për vonesa apo anulime fluturimesh.

Nisur nga problematika e ditës së hënë, kur kompania Albawings anuloi fluturimin dhe “Blue Panorama” e shtyu fluturimin e radhës nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, por edhe nga problematika të ngjashme të ndodhura në vazhdimësi, Autoriteti i Aviacionit Civil thotë për Gazetën “Si” se i ka duart e lidhura për çështje të tilla.

Sipas Autoritetit, “Blue Panoramës” do të duhej t’i hiqej licenca, por kjo është e pamundur.

“Kompanitë që janë të licencuara në Bashkimin Europian kanë të drejta të palimituara në tregun shqiptar, që do të thotë se ne nuk mund t’i heqim licencën, nuk mund t’i vemë gjoba. Këtë e ka kompetencë pala italiane në rastin e kompanisë “Blue Panorama”. Në përgjithësi këtë vit ka qenë vit i keq për Europën, patjetër edhe për Shqipërinë. Kjo ndodh sepse ka rritje të kapacitetit. Ka shumë kërkesë, sidomos korrik-gusht”, sqaron Arbër Hitaj nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, Autoriteti tregon për Gazetën “Si” se ka mbledhur të gjitha evidencat për tetë muajt e fundit dhe i janë dërguar palës italiane në mesin e muajit shtator. Autoriteti i ka bërë me dije homologut italian se kompania në fjalë ka shumë probleme. “Ata nuk mund ta heqin një kompani nga tregu për çështje vonesash. Ata i reduktojnë fluturimet.”- shpjegon Hitaj duke shtuar se, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë, Autoritetet nuk ndërhyn në të tilla raste, por vetëm për çështje të sigurisë.

Pala italiane, tregon Hitaj ka pyetur se pse pasagjerët shqiptarë të pakënaqur nuk e braktisin kompaninë, ndërsa fluturimet drejt Italisë i kryejnë edhe “Al-Italia” e “Fly Ernest” që sëbashku zënë 67% të tregut.

Por të dhënat mbi operatorët ajrorë të buletinit mujor të Autoritetit të Aviacionit Civil tregojnë se flukset e pasagjerëve të “Blue Panoramës” kanë trend rritës nga vitit në vit.

Në muajin gusht 2016 me “Blue Panoramën” kanë fluturuar 63741 pasagjerë, në gusht 2017 “Blue Panorama” ka transportuar 67175 pasagjerë dhe në gusht të 2018-ës kanë fluturuar me këtë kompani 65 250 pasagjerë.

Për Albawings, Hitaj shprehet se kompania kishte fluks pasagjerësh dhe ka huajtur avionin në fjalë nga një kompani malteze dhe faji bie mbi kompaninë që ka dhënë hua avionin mbi bazë marrëveshjeje. 

Vonesat dhe anulimet e fluturimeve nga kompanitë ajrore

Shtatori ka vijuar të jetë problematik në lidhje me vonesat e fluturimeve me destinacion disa qytete të Italisë. Nga të dhënat zyrtare rezulton, se kompania me numrin më të lartë të vonesave mbi 2 orë është “Blue Panorama” me 19 të tilla. Rritje ka shënuar edhe kompania “Albawings” me 10 të tilla.

Kompanitë i kanë arsyetuar vonesat me problemet operacionale dhe teknike. Ulje të numrit të vonesave dhe anulimeve ka shënuar kompania “Ernest Spa”. Ndërsa kompanitë e tjera, kanë normalizuar operacionet e tyre duke mos shënuar problematika në vonesa dhe anullime.

Pasagjerët kanë të drejtë të ankohen

Në raste vonesash dhe anulimesh të fluturimeve, pasagjerët kanë të drejtë të plotësojnë formularin e dëmshpërblimit për orët e kaluara në pritje teksa fluturimi është shtyrë. Sipas udhëzuesit për të drejtat e pasagjerit të nxjerrë nga Aviacioni Civil, pasagjerëve në raste të tilla u lind e drejta për t’u kërkuar linjave ajrore telefonata, pije freskuese, ushqime, strehim e transport për në vendin e strehimit, nëse vonesa është:

Për 2 orë ose më shumë në rastin e fluturimeve prej 1500 km ose më pak

Për 3 orë ose më shumë në rastin e të gjitha fluturimeve brenda Europës prej më shumë se 1500 km dhe të gjitha fluturimet e tjera ndërmjet 1500 dhe 3500 km

Për 4 orë ose më shumë në rastin e të gjitha fluturimeve që nuk mbulohen nga (1) ose (2)

Nëse kompania ajrore bën shkeljet e mësipërme pasagjerët kanë të drejtën e përkujdesjes falas:

Ushqim dhe pije freskuese

Dy telefonata, mesazh me teleks ose faks, ose e-mail

Akomodim në hotel në rastet kur qëndrimi për një ose më shumë netë është i nevojshëm ose një qëndrim shtesë nga ai që mendonte pasagjeri është i nevojshëm

Transporti ndërmjet aeroportit dhe vendit të akomodimit (hotel ose të tjera)

Kur vonesa është mbi 5 orë, pasagjerët kanë të drejtën e rimbursimit brenda 7 ditëve, të vlerës së plotë të biletës me çmimin e blerjes, për pjesën ose pjesët e udhëtimit të pakryer dhe për pjesën ose pjesët pothuajse të realizuara, nëse fluturimi nuk i shërben më ndonjë qëllimi lidhur me planin fillestar të udhëtimit.

E drejta e kompensimit:

250 euro për të gjitha fluturimet prej 1500 km ose më pak;

400 euro për të gjitha fluturimet brenda Europës më shumë se 1500 km, dhe për të gjitha fluturimet e tjera ndërmjet 1500 dhe 3500 km;

600 euro për të gjitha fluturimet që nuk janë parashikuar sipas (1) dhe (2);

Nëse kompania ajrore, ka ofruar një linjë tjetër për në destinacionin final me anë të një fluturimi alternativ, koha e mbërritjes të së cilës nuk e tejkalon kohën e mbërritjes së planifikuar, ai mund të zvogëlojë kompensimin e parashikuar më sipër në masën 50%.

Sipas disa prej agjencive të udhëtimit në kryeqytet që Gazeta “Si” ka pyetur, kompania Blu Panorama deri më sot nuk ka kompensuar asnjë pasagjer për çështje vonesash në fluturim.

Hitaj thotë se deri tani janë pritur mirë nga pala italiane dhe beson se Blu Panorama do të ndëshkohet me ulje të numrit të fluturimeve.

“Blue Panorama” rrit fluturimet përmes Albawings

Genti Kole, CEO i Albawing, ka folur për mediat italiane se Aeroporti i Peruxhas ka dhënë mundësinë për të përfshirë për herë të parë fluturimin e tretë javor edhe gjatë sezonit të dimrit. “Jemi të sigurt se kjo do të na lejojë të marrim pjesë në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës në të ardhmen e afërt “. Kurse Ernesto Cesaretti, presidenti i Sase, tha se e mirëpriste “me kënaqësi këtë lajm për sezonin e ardhshëm të dimrit, i cili u lejon udhëtarëve tanë një shërbim më të mirë lidhjesh të dobishme për udhëtime biznesi dhe turizmi. Kjo është një shenjë tjetër e vitalitetit dhe interesit për territorin tonë “.

Pra, jo vetëm që “Blue Panorama” nuk është ndëshkuar deri më tani për problematikat në tregun shqiptar, por do të shtojë fluturimet e saj gjatë sezonit të dimrit që është në prag. Bëhet fjalë për një fluturim të tretë me destinacion Perugia – Tirana të “Blue Panoramas” përmes Albawings.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë