Politike

Paketa e ndihmës për çmimet, Tabaku: Është lëmoshë, duhet ndryshuar taksimi  

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se paketa e ndihmës propozuar nga kryeministri Edi Rama nuk e zgjidh situatën e rritjes së çmimeve në vend.   

“Paketa e gjoja shpëtimit të krizës është ajo e talljes me qytetarët. Në një kohë kur çmimet për produktet më thelbësore të shportës së qytetarëve janë rritur me 200 lekë, në një kohë kur çmimi i naftës është kaq i lartë si pasojë e taksave të vendosura nga qeveria.

Atëherë zgjidhja që ofron qeveria është një paketë e programuar të implementohej në qershor që sillet më shpejt në kohë.

Nuk e shpëton qytetarin pagesa për 3 muaj me radhë e rritjes së cmimit të shportës, kjo është qesharake dhe nuk bazohet në nevojat reale. Qeveria nuk mund të shpërndajë lëmoshë por duhet të gjejë mekanizmat për të mos rënduar xhepin e qytetarëve”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, rruga e vetme është ajo e ndryshimit të strukturës së taksimit.

“Pra shqiptarët që marrin të njëjtën rrogë i blejnë produktet 4% më shtrenjtë se sa një vit më parë, pensionistët blejnë thuajse 7% më shtrenjtë produktet ushqimore ndërkohë që pensionet i kanë qesharake dhe më të ulëtat në rajon!

Shqipëria sot është në një krizë të paralajmëruar që në shtator kur diskutohej buxheti. Qeveria asokohe ishte e shqetësuar të planifikonte satelitët në hapësirë ndërsa opozita këmbëngulte për qytetarët në Shqipëri.

Në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta kthejnë jetën e një sipërmarrësi dhe të punësuari në një ferr të vërtetë:, shkruan ajo.

Tabaku thotë se masat e qeverisë janë populiste dhe të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin.

“Nuk ka nevojë qytetari për lëmoshë!

Kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve”, shkruan Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë