Gazeta Si – Qeveria shqiptare ka vendosur që të gjithë ukrainasit që hyjnë në Shqipëri, do të qëndrojnë për një afat 1-vjeçar pa pasur nevojë për një leje përkatëse.
Do të jetë Ministria e Brendshme dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ajo që do të merret me zbatimin e vendimit
Janë rreth 350 shtetas nga Ukraina që ndodhen tashmë në vendin tonë që pas nisjes së luftës nga Rusia në 24 shkurt.
Shifrën e konfirmoi dy ditë më parë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili një ditë më parë zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.
Çuçi pohoi se shtetasit ukrainas do të trajtohen me mbrojtje të përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor për azilin, duke u vlerësuar rast pas rasti sipas nevojës.
“Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”, – u shpreh ministri gjatë takimit me ambasadorin ukrainas Shkurov.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




