Kryetarja e Komisioni Hetimor Parlamentar për Incineratorët, Jorida Tabaku deklaroi në mbledhjen e kësaj të premteje se katër ditë më parë në incineratorin e Fierit janë ndryshuar aksionerët.
“Në datën 14.02.2022 është bërë një ndryshim i aksioneve në qendrën e biznesit në emër të kompanive të regjistruara ku janë shfaqur tre aksionerë italianë. Qëllim i këtij komisioni është të kuptojë kush janë investitorët fundorë. A keni dhënë një miratim paraprak për ndryshimin e aksionerëve nga një kompani tek tjetra?”, pyeti Tabaku Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.
Sekretarja u mor si dëshmitare në këtë komision. Ajo tha se Ministria e Infrastrukturës nuk ishte në dijeni të këtij transaksioni.
“A nuk duhet të kërkohej autorizimi nga ju për transferimin e këtyre aksioneve?”, vijoi pyetjen deputetja Jorida Tabaku.
“Nëse në kontratë është përcaktuar që duhet autorizim, atëherë duhej marrë autorizimi. Por varet si është përcaktuar në kontratë”, deklaroi Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.
Kontrata e impiantit të Fierit ndalon ndryshimin e pronarëve pa vënë në dijeni autoritetin kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës.
“Për çdo transferim të kapitalit themeltar të saj te të tretët, koncesionari duhet të marrë pëlqimin paraprak të autoritetit kontraktues. Në këtë rast, palës së tretë di t’i transferohen dhe detyrimet e të drejtat e përcaktuara në këtë kontratë”, thuhet në pikën 16 të kontratës, që flet për kufizimet.
Nga PS, deputetja Antoneta Dhima i kërkoi kryetares së Komisionit, Jorida Tabaku që të vendosë në dispozicion të komisionit ekstraktin e transferimit të aksioneve të koncesionit të Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.