Shumë shpendë varen nga zëri për të gjetur ushqim, për të zbuluar grabitqarët dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kuptohet se këto specie vuajnë kur autostradat e zhurmshme kalojnë nëpër habitatet e tyre. Disa përballen duke kënduar më fort, disa ndryshojnë kohën e thirrjeve të tyre e të tjerë thjesht lëvizin në vende më të qeta.
Të gjitha këto veprime vijnë me kosto të konsiderueshme dhe shkencëtarët kanë dokumentuar prej kohësh dëmin ekologjik të shkaktuar nga ndotja akustike. Gjithmonë është supozuar, megjithatë, se zhurma është një problem unik për kafshët. Por një studim i ri nga Ali Akbar Ghotbi-Ravandi, një botanist në Universitetin Shahid Beheshti në Teheran, ka zbuluar se bimët vuajnë gjithashtu.
Bimët ndikohen në mënyrë indirekte nga ndotja akustike. Meqenëse shumica e llojeve të lulëzuara varen nga pjalmuesit dhe shumica e bimëve frutore kanë nevojë për disa specie për të shpërndarë farat e tyre, nëse këto specie dëmtohen nga zhurma, atëherë edhe homologët e tyre botanikë do të dëmtohen. Ajo që ka mbetur e panjohur është nëse vetë bimët vuajnë apo jo drejtpërdrejt nga ndotja akustike.
Tingujt janë valë presioni që transmetohen përmes gazeve, lëngjeve dhe trupave të ngurtë. Shkencëtarët kanë hedhur hipoteza më parë se bimët mund të jenë në gjendje t’i ndiejnë këto valë ndërsa goditen prej tyre. Një numër eksperimentesh e kanë konfirmuar këtë në vitet e fundit. Bimët e bombarduara me ultratinguj në laborator kanë treguar një sërë reagimesh negative duke përfshirë ngecjen e rritjes dhe mbirjen e reduktuar të farave.
Megjithatë, shpërthimi i bimëve me ultratinguj nuk është i njëjtë me rritjen e tyre në prani të zhurmës aktuale të trafikut. Për këtë qëllim, Ghotbi-Ravandi vendosi të krijojë një eksperiment për të studiuar pikërisht këtë dilemë.
Duke punuar me një ekip kolegësh, Ghotbi-Ravandi rriti dy lloje në laboratorin e tij që gjenden zakonisht në mjediset urbane, marigoldët francezë dhe sherebela e kuqe. Bimët u rritën nga farat dhe u lanë të piqen për dy muaj në të njëjtën hapësirë përpara se të ndaheshin në dy grupe. Një grup u ekspozua ndaj 73 decibel zhurmës së trafikut të regjistruar nga një autostradë e ngarkuar në Teheran për 16 orë në ditë. Grupi tjetër u la të rritej në heshtje. Pasi kishin kaluar 15 ditë, u morën mostra nga gjethet më të reja të zgjeruara plotësisht në çdo bimë në eksperiment dhe u studiuan.
Asnjë nga bimët e ekspozuara ndaj zhurmës së trafikut nuk funksionoi mirë. Analiza e gjetheve të tyre zbuloi se të gjithë po ‘vuanin’. Komponimet kimike si peroksid hidrogjeni dhe malondialdehidi janë tregues të stresit në bimë dhe të dyja u gjetën në nivele shumë më të larta në ekzemplarët e ekspozuar ndaj zhurmës së trafikut. Më e rëndësishmja, nivelet e malondialdehidit në bimët e sherebelës të ekspozuara ndaj zhurmës ishin dyfishi i nivelit të tyre në ato të rritura në heshtje dhe nivelet e peroksidit të hidrogjenit ishin tre herë më të larta në marigoldët francezë të rritur me zhurmë sesa ato të rritura në heshtje.
Këto komponime nuk ishin të vetmet. Ekipi zbuloi se një sërë hormonesh që normalisht lidhen me rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të bimëve ishin të pranishme në nivele të reduktuara ndjeshëm në bimët e ekspozuara ndaj zhurmës. Dy hormone, acidi jasmonik dhe acidi abscisik, të cilët normalisht prodhohen për të shmangur sulmet e insekteve dhe për të përballuar tokën e kripur ose temperaturat shumë të ftohta, u ngritën. Edhe pesha e gjetheve të sapo prera ndryshonte, copat e prera nga bimët e ekspozuara ndaj zhurmës peshonin vazhdimisht më pak se ato nga bimët e rritura në heshtje.
Rezultatet e Ghotbi-Ravandi u botuan në revistën Basic and Applied Ecology. Gjetjet e tij e bëjnë të qartë se, megjithëse bimëve u mungojnë veshët, dridhjet e krijuara nga zhurma e trafikut ende i shqetësojnë mjaftueshëm për të shkaktuar reagime të fuqishme ndaj stresit që nuk janë shumë të ndryshme nga ato që mund të gjenden në bimët e ekspozuara ndaj thatësirës, kripës së lartë ose që kanë prani të metaleve në tokën e tyre.
Burimi: The Economist. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



