Gazeta Si – Punëtori i laboratorit të drogës, Eriban Daja 29 vjeç, i cili u arrestua brenda “shtëpisë së barit” që u zbulua në fshatin Pinet të Ndroqit pranë Tiranës, është lënë në burg.
Ndërkohë Gjykata e Tiranës liroi dy punonjësit e OSHEE-së të arrestuar tri ditë më parë gjatë operacionit policor për shkak të lidhjes së paligjshme të energjisë në objektin ku përpunohej lënda narkotike.
Për elektricistin Qemal Hasa dhe faturistin e OSHEE-së, Erjon Mema, togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Shtëpia e hashashit në Ndroq u zbulua më 11 shkurt gjatë një aksioni të Policisë së Shtetit në kuadër të planit operacional të urdhëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në kërkim, është 32-vjeçarja Rudina Xhambazi, e cila është personi që ka marrë me qira këtë banesë.
E reja, në bashkëpunim me Eriban Dajën, e kishin përshtatur objektin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Pronari i banesës, i cili është emigrant jashtë vendit, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kanabisin ndërkohë që në kërkim është shpallur shtetasja Rudina Xhambazi e cila rezulton qiramarrëse e objektit.
Gjatë aksionit, policia sekuestroi 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.