Ka ndodhur

‘Shtëpia e barit’ në Ndroq/ Punëtori mbetet në burg, lirohen elektriçistët

Gazeta Si - Punëtori i laboratorit të drogës, Eriban Daja 29 vjeç, i cili u arrestua brenda “shtëpisë së barit” që u zbulua në fshatin Pinet të Ndroqit pranë Tiranës, është lënë në burg.

Ndërkohë Gjykata e Tiranës liroi dy punonjësit e OSHEE-së të arrestuar tri ditë më parë gjatë operacionit policor për shkak të lidhjes së paligjshme të energjisë në objektin ku përpunohej lënda narkotike.

Për elektricistin Qemal Hasa dhe faturistin e OSHEE-së, Erjon Mema, togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Shtëpia e hashashit në Ndroq u zbulua më 11 shkurt gjatë një aksioni të Policisë së Shtetit në kuadër të planit operacional të urdhëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në kërkim, është 32-vjeçarja Rudina Xhambazi, e cila është personi që ka marrë me qira këtë banesë.

E reja, në bashkëpunim me Eriban Dajën, e kishin përshtatur objektin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Pronari i banesës, i cili është emigrant jashtë vendit, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kanabisin ndërkohë që në kërkim është shpallur shtetasja Rudina Xhambazi e cila rezulton qiramarrëse e objektit.

Gjatë aksionit, policia sekuestroi 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë