Drejtësia

Foto-Video/ Saimir Tahiri dënohet me 3 vite e 4 muaj burg, del me pranga nga gjykata

Pas një seance maratonë, që nisi në orën 13:00, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar nga GJKKO me 3 vite e 4 muaj burg.

Nga ana e togave të zeza u vendos që të lihej në fuqi vendimi i shkallës së parë për shpërdorimin e detyrës. Tahiri u dënua me 5 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit.

Vuajtja e dënimit për Tahirin fillon që nga kjo e premte 4 shkurt 2022, ku atij i janë vënë prangat që në sallën e gjyqit për të vijuar më pas në një burg të sigurisë së zakonshme.

Ish-ministri i Brendshëm e priti me buzëqeshje vendimin e gjykatës duke shkëmbyer batuta me avokatin e tij Maks Haxhia.

Gjatë leximit të vendimit, gjyqtari tha se provat e ofruara nga prokuroria konfirmojnë lidhjen e tij me grupin e Habilajve, i cili u mor me transportin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali.

Ai akuzohet nga SPAK për trafik të lëndëve narkotike, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale.

Ndërkohë, avokati i tij, Maks Haxhia e ka konsideruar si një vendim të padrejtë të dhënë sot nga GJKKO kundrejt klientit të tij.

Të pranishëm gjatë vendimit të Apelit të GJKKO-së kanë qenë edhe përfaqësues të selive diplomatike në vendin tonë. Pas dhënies së vendimit, ata janë larguar, duke shmangur komenteve për mediat.

Gjykata parashtron këto argumente për Saimir Tahirin:

1.Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.

2.Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.

3.Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese

4.Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.

5.Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.

6.Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficenses të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.

7.Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit

8.Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës

Para tre ditësh, SPAK u qëndroi akuzave dhe kishte kërkuar 12 vite burgim për Tahirin. Më pas ish-ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e pranoi për ta gjykuar. Nga ana tjetër, Tahiri ka kërkuar pafajësi, duke thënë se prokuroria ka dështuar të vërtetojë akuzat ndaj tij. 

“Prokuroria ka dështuar të identifikojë rolin tim, kur jam bërë pjesë dhe si kam bashkëpunuar. Nuk kam asnjë kontakt me personat e hetuar dhe të përfshirë në procedimet e Prokurorisë”, pati deklaruar Saimir Tahiri në përfundim të seancës së 31 janarit 2022.

Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj nga Vlora, të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi këtë kërkesë.

GJKKO lë në burg edhe Jaeld Çelën, avokati: Do bëjmë rekurs

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg dhe akuzohet për shpërdorim detyre.

Avokati i tij, është shprehur se gjykata nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Çela ka pasur kontakte me grupin e strukturuar kriminal. Ai tha se do të bëjë rekurs kundër vendimit të Gjykatës

Në nëntor të 2017 prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me ministrin Tahiri ndihmoi bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Ndaj Çelës u ngritën akuzat për shpërdorim detyre, trafik droge, aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, por Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë