Politike

A do t’i rikthehet Tahiri politikës?

Saimir Tahiri e nisi karrierën politike në vitin 2005. Kryesocialisti Edi Rama e emëroi fillimisht si zëdhënës të Partisë Socialiste. Më pas Tahiri, si një prurje e re në PS, i ardhur rishtas së bashku me një grup të rinjsh të partisë G-99, emërohet si drejtor i Fondacionit “Qemal Stafa”, organizatë politike që vepronte pranë PS-së.

Pikërisht kjo prurje e re u pa si kërcënim për “xhaketat e vjetra” të PS-së, të cilët Rama i kishte vënë në shenjëstër për t’i larguar nga politika, për të vendosur njerëzit e tij në kupolën drejtuese të PS-së.

Tahiri nuk do të mjaftohej me kaq, shumë shpejt ai do të ngjiste shkallët e karrierës politike që kulmoi marrjen e postit më të rëndësishëm në qeveri, atë të Ministrit të Brendshëm.

Ai do të bëhej kryetari i PS-së së Tiranës, duke marrë përsipër fushatat elektorale të zgjedhjeve parlamentare dhe ato lokale.

Ai do të shihej dhe si një rival i heshtur i kryebashkiakut Erion Veliaj, me të cilin nuk kanë pasur ndonjë miqësi e siç duket i mbante bashkë kryesocialisti Edi Rama.

Për më shumë se një dekadë, karriera e Samir Tahirit do të pësonte vetëm rritje.

Në mbajtjen e postit të Ministrit të Brendshëm, Tahiri u bë “i paprekshëm” duke fituar një status politik të fuqishëm në PS, gjë që solli jo pak xhelozi brenda radhëve të socialistëve.

Opozita do ta sulmonte pa fund Tahirin, së pari për lidhjet e tij me Emiljano Shullazin, ku PD-ja shprehej se ka bashkëpunuar për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Ndërsa më vonë akuza do të ngriheshin për çështjen e kanabizimit të vendit, për lidhje me trafikantë të drogës dhe kriminelë.

11 mars 2017, shkarkimi nga detyra si ministër

Që nga shkurti opozita kishte nisur protestat duke ngritur çadrën përpara selisë së Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike, duke e kushtëzuar këtë dhe me pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2011. Tre javë pas grevës së opozitës, Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj, kryeministri Edi Rama i sapo kthyer nga një vizitë pune në Gjermani, thirri në zyrë të shtunën e 11 marsit 2017 njeriun që e kishte si më besnikun në qeverinë e përbashkët me LSI-në e PDIU-në, për t’ia komunikuar shkarkimin nga detyra. Pa dhënë asnjë motiv zyrtar apo argument për këtë largim të bujshëm dhe pak përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshem, Saimir Tahiri, gjatë një seance parlamentare/ Foto LSA

Pavarësisht këtij largimi si ministër, Tahiri do të zgjidhej deputet i PS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe do të drejtonte fushatën e elektorale të socialistëve për Tiranën.

Tahiri nuk ishte më ministër, e që nga këtu do të niste një sfidë për ministrin; ajo e përballjes me drejtësinë për akuzat për bashkëpunim me grupet kriminale, ku akuza më e fortë e për të cilën po hetohej që nga tetori i vitit 2017, është ajo për dosjen “Habilaj”.

Më 19 tetor, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë leje për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në lidhje me hetimin për trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali nga organizata kriminale e njohur si Vëllezërit Habilaj.

“Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të prokurorisë.

Kërkesa e Prokurorisë shqiptare erdhi pas arrestimit të grupit kriminal italo-shqiptar, ku bënin pjesë dy vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari tashmë i arrestuar ndërsa tjetri i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

Vëllezërit Habilaj rezultojnë të kenë lidhje faresfisnore me zotin Tahiri. Në përgjimet e kryera nga pala italiane, Moisi Habilaj e përmend në disa raste gjatë bisedave të tij emrin “Saimir”, të cilin hetuesit italianë e identifikojnë pikërisht me ish ministrin shqiptar. Habilaj flet për shuma disa miliona euroshe që sipas tij Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj” dhe se atij nuk i mjaftonin “as 20 milion euro për fushatat elektorale”. Në raste të tjera përmendet një shumë prej “30 mijë eurosh që duhet t’ia jap atij”, apo dhe për dhurata disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Sajmirit”.

Në kërkesën drejtuar Parlamentit si element i ri lidhej me autoveturën Audi që Tahiri i ka shitur në nëntor të vitit 2013 Artan Habilajt. Por ish-ministri do të deklaronte se përveç këtij moment ai nuk ka pasur asnjë raport tjetër me Habilajt.

Tahiri ne Kuvend duke diskutuar mbi heqjen e imunitetit te deputetit, kerkuar nga Prokuroria

Por sipas prokurorisë, në gusht të vitit 2014 ai rezulton se ka udhëtuar duke përdorur të njëjtin automjet, e për më tepër nën shoqërinë e Artan Habilajt. Për këtë arsye Prokuroria kërkoi që “në kushtet e sekuestrimit të lëndës narkotike, dhënies së shpërblimeve nga grupi kriminal funksionarëve të lartë zyrtarë, mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për ekzistencën e veprimtarisë kriminale dhe përfshirjes në këtë veprimtari të të dyshuarit Saimir Tahiri”.

Maxhoranca socialiste pas ballafaqimit në Këshillin për Imunitetin e Legjislacionin do të rrëzonte me 75 vota kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dhe nisjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm, duke u shprehur e hapur për ta hetuar atë të lirë.

Opozita atë kohë në Parlament do të deklaronte se kryeministri Edi Rama e mori në mbrojtje Tahirin, duke theksuar se maxhoranca do ta mbrojë ish-ministrin nga akuzat për lidhjen me bandën e Habiljave.

Ndërkaq opozita do të ndërmerrte në shkurt nismën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për çështjen Tahiri. Një komision i ngritur pas shumë përplasjesh politike. Hetimet parlamentare ndaj ish-ministrit janë në fuqi edhe sot kësaj dite, edhe pse afati i komisionit është shtyrë disa herë radhazi.

Ndërsa nën trysninë e madhe politike dhe të ndërkombëtarëve, Samir Tahiri në maj të vitit 2018 do të dorëzonte mandatin e deputetit, duke ikur nga grupi i PS-së dhe njëherësh nga kryetar i PS-së së Tiranës, për t’u zëvendësuar nga Blerina Gjylameti.

Kjo do të ishte dalja zyrtare e Tahirit nga politika, ndërsa jo pak përplasje do të kishte edhe me ndërkombëtarët veçanërisht me qëndrimet që do të mbante asaj kohe ambasadori amerikan, Donald Lu.

Ministri Tahiri dhe ambasadori amerikan Dondald Lu gjatë aktiviteti të zhvilluar në vitin 2016/ Foto LSA

“Shikoni Saimir Tahirin, ish-Ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Nuk jemi pranë përfundimit të çështjes, por është pozicioni i Qeverisë së SHBA dhe i Ambasadës së SHBA se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…” – do të deklaronte ambasadori Donald Lu më 5 prill 2018 në një intervistë televizive në TV Klan.

Për diplomatin amerikan ka mbajtur një qëndrim të ashpër sa i përket hetimeve të ndërmarra ndaj Tahirit. Por Lu në intervistën e fundit përpara largimit nga Shqipëria, theksoi se “Nuk e kemi paragjykuar Saimir Tahirin. Ajo që kam thënë dhe do e përsëris është se shumë shqiptarë, dhe unë, mendojmë se ka prova reale që i sheh në media çdo herë që del kjo çështje, për manipulim politik të çështjes. Tani, ne besojmë, Qeveria e SHBA beson se kjo çështje është mjaftueshëm e rëndësishme sa meriton të vendoset në gjykatë nga një gjykatës që ka kaluar vettingun, sipas provave, dhe jo sipas presionit politik. Këtë kërkojmë. Mbështesim përpjekjet që kjo të shkojë përpara në mënyrë transparente. Z. Tahiri ishte ministër kur këto krime pretendohen të jenë kryer. Është logjike të mendohet se kjo çështje në fakt mund të jetë një nga të parat që do të gjykohet në një gjykatë të SPAK, nga gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar vettingun. Kjo është diçka që do ta mbështesnim fort”.

Thyerja e heshtjes pas një viti

Pas një viti, Tahiri sot theu atë që e cilësoi si heshtje për t’u thënë boll akuzave në adresë të tij për dosjen “Habilaj”, duke kërkuar që prokuroria të jepte vendimin dhe mos ta zvarriste çështjen.  Në deklaratën për shtyp që zgjati 26 minuta, Tahiri veç kërkesës për dhënien fund të baltosje sipas tij, nga opozita apo dhe nga kundërshtarët politikë brenda PS-së, dha sinjale se do t’i rikthehej politikës.

“Por unë jam rrëzuar disa herë dhe e jam ringritur. Kam gabuar shumë herë ndoshta, e kam mësuar. E kam mësuar se përballë padrejtësisë për jetën e çdo qytetari në çdo cep të Shqipërisë, ka vetëm një rrugë: Të mbledhim veten të gjithë bashkë e të godasin fort, fort palaçot kudo në politikë që kanë vjedhur çdo tokë në këtë vend dhe nuk janë dënuar. E në qoftë se i shpëtuan drejtësisë së ligjit, me lek e pushtet, të mos i shpëtojnë kurrë drejtësisë së popullit, sot e kurrë ndonjëherë. Kush ka rënë e nuk është ngritur, kush ka vuajtur e nuk ka pritur një ditë më e mirë vjen. Unë e provova vetë, e sot e di shumë mirë, se në çdo ditë timen të vështirë, nuk kanë munguar njerëzit e thjeshtë që me dashuri më kanë dhënë një dorë për të qenë ky që jam e për të bërë atë siç e kam ëndërruar bashkë me shumë të tjerë.

Unë jam Saimir Tahiri që kam qenë, e do vazhdoj të jem njëlloj me të njëjtën forcë për të luftuar për të vërtetën e të drejtën mbi të gjithën. Jo vetëm timen, por të të gjithë atyre që duhet të çohen në këmbë për të marrë mbrapsht atë që meritojnë nga ligji dhe nga Zoti”, tha ish-ministri në fjalën e tij.

Pikërisht ky mesazh i tij shihet si një paralajmërim që Tahiri do t’i rikthehet jetës aktive politike, kjo pasi drejtësia shqiptare ta thotë fjalën e saj për akuzat e ngritura. Por një gjë duket se nuk e ka përcaktuar nëse do t’i ribashkohet PS-së, apo do të krijojë një lëvizje politike. Ish-ministri u duk i rezervuar në deklaratën e tij, duke mos sulmuar kryesocialisti Rama në qëndrimin e tij, kjo mund të shihet edhe si një sinjal në adresë të tij për t’iu bashkuar përsëri PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë