Ekonomi

Analiza e BSH-së: Lehtësimi sasior është i vështirë në ekonominë shqiptare

Gazeta Si – Efektet e Covid-19 në ekonomi e bënë edhe Bankën e Shqipërisë të shqyrtonte skenarë të mundshëm të aplikimit të politikave monetare jokonvencionale ose të lehtësimit sasior.

Këta politika janë përdorur nga autoritetet monetare të ekonomive më të zhvilluara si përgjigjie ndaj krizës së gjatë për të nxitur një rritje të shëndetshme të inflacionit me instrumentet klasike të politikës monetare.

Megjithëse ekonomia shqiptare arriti një rimëkëmbje të shpejtë nga pandemia dhe përdorimi i politikave të lehtësimit sasior për momentin nuk duket se do të jetë i nevojshëm, në analizat e saj banka qendrore e ka studiuar terrenin për aplikimin e tyre. Megjithatë, këto analiza kanë vendosur në dukje vështirësitë e përdorimit të tyre në kushtet e ekonomisë shqiptare.

“Mundësia e Bankës së Shqipërisë për përdorimin dhe masën e politikave jokonvencionale kushtëzohet prej strukturës dhe zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri, i cili është shumë i kufizuar.

Me përjashtim të letrave me vlerë të Qeverisë Shqiptare, ky treg nuk ka instrumente të tjera të tregtueshme të sektorit financiar apo të sektorit privat, të cilat do të mund të bliheshin nga banka qendrore për të mundësuar lehtësimet sasiore dhe zgjerimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë”, thuhet në studimin e BSH-së.

Sipas analizës, një tjetër rrezik që lidhet me aplikimin e politikave ekspansioniste të bazuara në zgjerimin e bilancit të bankës është përzierja e politikës monetare me atë fiskale.

Blerja e sasive të konsiderueshme të letrave me vlerë në një treg të cekët, me informacion të pjesshëm e rrjedhimisht me risk të lartë, në një ekonomi në zhvillim, e shtyn politikën monetare në territorin e saj fiskal.

Përmes mbështetjes së sektorëve të caktuar, duke akumuluar humbjet nga aktivet me rrezik në bilanc, apo financimit të përhershëm të deficiteve fiskale me emision të ri, banka qendrore ia transferon koston taksapaguesve dhe përfshihet de facto në rishpërndarjen e burimeve në ekonomi.

Pavarësisht nga rritja e bilancit të bankës dhe rritja e sasisë së parasë në qarkullim, sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimi në treguesit realë ka qenë në rastin më të mirë marxhinal. Kjo për arsyen se shkalla e lartë e euroizimit dhe zëvendësimi real i lekut me euron si mjet pagese, bën që zgjerimi i bilancit përmes rritjes së rezervave valutore të ketë kryesisht efekte indirekte përmes kanalit të kursit të këmbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë