Mjedis

Ndryshimet klimatike dhe Covid-19\ Të mësohemi me to apo të tentojmë t’i mposhtim?

“Një numër gjithnjë e më i madh ekspertësh thonë: “Duhet të mësojmë të jetojmë me Covid-19”. Megjithatë, si shkencëtarë, ne shohim se kjo është një ide thellësisht e gabuar dhe një ide që nuk kemi zgjedhur ta ndjekim me patogjenë të tjerë të ngjashëm të rrezikshëm”, thotë Emil J. Bergholtz, shkencëtare bashkë me disa kolegë të saj.

Argumente të ngjashme kanë qenë të suksesshme në të kaluarën, si pretendimet se ne duhet të mësojmë të “jetojmë me ndryshimet klimatike” dhe debati për Covid-19 po shkon në të njëjtin drejtim, megjithëse shumë më shpejt.

Të dyja këto qasje kanë të njëjtat komponentë: ato duken të arsyeshme dhe realiste në fillim, por ato përjashtojnë idenë se ekziston një alternativë dhe nuk marrin parasysh unazat jolineare të reagimit, që do të thotë ndryshime të mëtejshme që nxiten nga vetë ndryshimi, duke përjetësuar në mënyrë eksponenciale një zinxhir të shkakut dhe pasojës.

Ekonomistët shpesh përqafojnë ide të tilla afatshkurtra. Për shembull, William Nordhaus, fituesi i Nobelit për ekonominë në 2018, ka sugjeruar se një rritje e temperaturës së Tokës me 3.5 gradë Celsius deri në vitin 2100 do të ishte optimale.

Sidoqoftë, shkencëtarët e klimës kanë treguar që vlerësimi i Nordhaus është plotësisht i pasaktë. Llogaritjet e Nordhaus-it ishin lineare, ndërsa kalimi i pikave të kthesës si akullnajat e shkrira, ndryshimi i rrymave oqeanike, shpyllëzimi dhe efektet e tyre të ndërlikuara, do ta bënin përfundimisht të pamundur kthimin e Tokës në normalitet. Një rritje prej 3.5 gradësh në temperaturën globale mund të kërcënojë gjithë ekzistencën tonë.

Dhe ashtu si procesi i ndryshimit të klimës, COVID-19 gjithashtu ka pika kthese, për sa i përket shfaqjes së varianteve të reja, më të transmetueshme të virusit, secila prej të cilave çon në sfida cilësisht më të ashpra për njerëzimin.

Shfaqja e fundit e variantit Omicron përfaqëson një pikë të re kthese, me një vlerë R dukshëm më të lartë se varianti Delta dhe, po aq shqetësuese, shenja të një vullneti politik të humbur për ta ndaluar atë. Në themel të kësaj qëndron një supozim se sëmundja nuk është aq e rëndë. Por kjo mënyrë “lineare” e të menduarit është me “të meta”, pasi injoron rrezikun e varianteve të tjera të reja, pikave të reja kthese. Ndërkohë që variantet e tjera që mund të shkaktojnë sëmundje më serioze, por nuk përhapen aq shpejt sa Omicron, imuniteti i ndërsjellë nuk është i sigurt. Por një gjë duket e sigurt: të lëmë sasi të mëdha infeksioni të qarkullojnë është si të hapësh kutinë e Pandorës. Duhet të presim surpriza të tjera të pakëndshme.

Kur bëhet fjalë për Covid-19, çështja e reagimit shfaqet pasi virusi ndryshon. Shkalla globale e mutacioneve varet nga numri i infeksioneve, dhe më shumë infeksione rezultojnë në më shumë riprodhim të virusit, pra një shans më i madh për mutacion. Dhe megjithëse mutacionet janë kryesisht të rastësishme, ato viruse të reja që mund të përhapen më shpejt dhe ‘konkurrojnë më mirë’, duke krijuar përfundimisht infeksionin e popullatës.

Një pikë kthese e pakthyeshme me të cilën përballemi tani në lidhje me COVID-19 është se, për shkak të varianteve më ngjitëse si Omicron, ndërhyrjet si distanca fizike ose vendosja e maskave, nuk mjaftojnë më për të ndalur pandeminë. Një pikë kthese edhe më serioze do të ishte një variant që është më virulent dhe më infektues. Për shembull, një kombinim i Omicron më infektiv me Delta më virulente mund të jetë katastrofik.

Kështu, rruga më e mirë është të mposhtim virusin në nivele të menaxhueshme, ndërsa ka ende kohë. Shumë në Perëndim besojnë se pothuajse të gjithë do të marrin Covid-19, se nuk ka alternativë tjetër, pavarësisht se disa vende lindore demonstrojnë se masat funksionojnë. Në fakt, është treguar bindshëm se një strategji eliminimi sjell rezultate superiore në të gjitha aspektet: për shëndetin, ekonominë dhe liritë civile. Nëse të gjitha vendet do të kishin ndjekur këtë strategji, ne do të kishim dalë më mirë dhe, me siguri të madhe, do t’i jepnim fund pandemisë krejtësisht. Por me çdo pikë kthese, po bëhet më e vështirë të ndiqet strategjia e eliminimit dhe imuniteti i tufës mbetet një e ardhme e largët.

Alternativa tjetër është të presësh për vaksina potencialisht më të mira. Por nëse do të presim vaksinat, duhet të jetë e gjithë bota ose asgjë. Raundi i parë i vaksinave u zhvillua dhe u prodhua në kohë rekord; megjithatë, koncepti i vaksinimit të shpejtë të gjithë botës përpara se vaksinat të zbehen është dëshmuar qartë se është jopraktik. Dhe gara midis zhvillimit të vaksinës dhe mutacionit të virusit do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u fituar. Dhënia e vaksinave që nuk ndalojnë plotësisht infeksionin vetëm në një pjesë të botës do të lejojë vetëm shfaqjen e varianteve të reja dhe ka të ngjarë të na shtyjë të kalojmë një pikë përfundimtare, ku është e kotë të bëjmë diçka, ku ka kuptim të heqim dorë. Por ne nuk jemi ende atje.

Si pandemia ashtu edhe ndryshimi i klimës janë të natyrës globale. Të dyja janë shembuj të tragjedisë së të përbashkëtave, që çon në një rezultat të përbashkët katastrofik. Por pengesat janë politike, jo shkencore. Të dyja mund të menaxhohen me një qasje koherente dhe të bazuar në shkencë, megjithatë kjo bëhet më e vështirë me çdo pikë kthese të kaluar.

Për COVID-19, si për klimën, duhet të kuptojmë se qasja aktuale nuk është e qëndrueshme. Në secilin rast, sfida është e natyrës jolineare dhe kalimi i një pike përtej së cilës situata bëhet cilësisht e pakthyeshme mund të jetë katastrofike për brezat aktualë dhe të ardhshëm.

Të paktën për klimën, ne mendojmë se dimë disa nga objektivat dhe datat ku do të kalojmë pikën kulmore të një ndryshimi të tillë të pakthyeshëm. Megjithatë, për COVID-19, pikat e kthesës kalohen në mënyrë të rastësishme nga ligjet e evolucionit, kështu që ato mund të ndodhin në çdo kohë dhe vend, me një probabilitet proporcional me sasinë e virusit që qarkullon.

Megjithëse mund të rezultojë të jetë më pak virulent, shfaqja e variantit Omicron, kaq afër në kohë me Delta-n, është në rastin më të mirë një paralajmërim i fortë se nevojitet veprim vendimtar dhe eliminim. Nuk është ende koha për t’u dorëzuar. Ne kemi nevojë për përpjekje të koordinuara përtej kufijve, dhe përveç vaksinimit, duhet të pranojmë plotësisht se Covid-19 është një sëmundje që transmetohet nga ajri dhe një plan për të mposhtur transmetimin do të ishte shumë efektiv.

Si për pandeminë, ashtu edhe për ndryshimin global të klimës, pyetja mbetet: A do të zgjedhim të veprojmë apo do të mbetemi pasivë ndërsa kalojmë një pikë kthese?

*Emil J. Bergholtz është pedagoge e fizikës në Universitetin e Stokholmit. Nele Brusselaers është epidemiologe në Institutin Karolinska. Andreë G. Ewing është profesor i kimisë dhe biologjisë molekulare në Universitetin e Goteborgut.

Burimi: Politiko. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë