Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Europën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale. Në njoftimin e kësaj Komande thuhet se “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”, vijoi ai.
Vendimi i Komandës amerikane u përshëndet nga Ambasada e SHBA në Tiranë, si dhe nga Kryeministri Edi Rama.
“Një mënyrë e jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes. Hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrejnë një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale”, shkruan Yuri Kim.
“Pjesa më e rëndësishme është që sot kemi marrë një lajm fantastik që kemi disa kohë që punojmë, është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë dhe bashkëpunimi shumë të afërt”, tha Rama në një dalje të posaçme në Facebook nga Kryeministria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




