Treg

Për festat e fundvitit bum blerjesh në mobilje e elektroshtëpiake. Por tregjet e të ‘varfërve’, shitje të dobëta

Për festat e fundvitit shqiptarët u fokusuan tek blerjet për shtëpinë. Kërkesat për mobileri dhe pajisje elektroshtëpiake u rritën ndërsa shitësit e tregjeve të vogla me pakicë patën shitje të dobëta.

Pandemia veç sjelljes konsumatore ndryshoi edhe trendin e blerjeve festive në sezonin e festave që sapo lamë pas. Sipas disa nga operatorëve më të mëdhenj të tregut, sezoni i festimeve duket se po zgjatet në kohë çdo vit që kalon pasi blerjet nisën që në fillim të nëntorit.

Linjat e tregtisë me pakicë për të gjitha llojet e produkteve raportojnë dyfishim të shitjeve që vrullin nuk ua kanë ndalur as çmimet e larta e as efektet e pandemisë.

Konsumi përpos përqendrimit në ushqime u shtri në shumë drejtime, por ca më tepër u kanalizua tek pajisjet elektroshtëpiake dhe mobiliet për përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme të shtëpive.

“Trendi për përkujdesjen ndaj shtëpisë u nxit akoma më shumë nga pandemia në fakt, në momentin kur njerëzit filluan të shpenzonin më shumë kohë në shtëpi dhe u fokusuan më shumë tek blerjet për ta bërë ambientin e tyre sa më të këndshëm.

Kërkesa për blerje në prag të festave sigurisht që ishtë shumë më e lartë krahasuar me vitin 2020 kur pandemia i kishte shtrirë më gjerë efektet e saj në ekonomi, por edhe në krahasim me vitin 2019 shitjet ishin thuajse aty-aty”,-thotë për Gazetasi.al Ali Lala, arkitekt dhe njëkohësisht menaxher nga mobileria me të njëjtin emër.

Ai shton se si për eksportin ashtu edhe për tregun vendas kërkesa ka qenë më e lartë se vitet e zakonshme që kemi lënë pas.

“Njerëzit kanë preferuar mobilje të ndryshme druri. Rafte për të vendosur televizorët, ca dërrasa që vihen sëfundmi në mur, tavolina me dru vidhi dhe abazhurë të ndryshëm.

Kanë një tendencë drejt modës së fundit dhe po preferojnë gjithnjë e më shumë mobiljet moderne të stilit skandinav”, thotë më tej ai.

Edhe nga “Neptun” shitësit raportojnë se kalimi i ditëve të pushimit në shtëpi ka shtuar shumë nevojën për pajisje të tjera elektro-shtëpiake.

“Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve krahasuar me periudhën e vitit të kaluar. Këtë vit ndryshe nga viti i kaluar blerjet nisën që në fillim të nëntorit. Frigoriferë, shtrydhëse frutash dhe enë të tjera kuzhinë kanë qenë blerjet kryesore të qytetarëve për këto festa”, thotë për Gazetasi.al Sara Shehu, shitëse aty.

Shpenzimet e mëdha të konsumit duket se janë ushqyer kryesisht nga kursimet por edhe nga reminitancat që në 9 muajt e parë të vitit të kaluar shënuan nivelin më të lartë që nga viti 2009 duke arritur në 541 milionë euro.

Nga grupi Balfin që është operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e gjerë të dyqaneve si “Jumbo” “Spar Albania” dhe “Neptun” operatorët raportuan për një rritje të shitjeve përgjatë gjithë vitit 2021 por sidomos përgjatë dy muajve të fundit të vitit.

Ata pohuan se në ndryshim nga viti i kaluar, frekuentimi fizikisht i dyqaneve u rrit në 2021-shin por megjithatë trendi i shitjeve online vijoi që të mbetej i lartë.

Edhe në një anketë të INSTAT për vitin 2021, blerjet online u kryen nga 21.4% e popullsisë të grupmoshës 16-74 vjeç.

Shitjet në “Jumbo” janë rritur me 21% ku përpos zbukurimeve të Krishtlindjeve kanë mbizotëruar lodrat për fëmijë.

Ushqimet janë kryefjala e festave të fundvitit. Disa prej supermarketeve më të mëdha në vend gjithashtu raportojnë se pati rritje kërkesash për produkte ushqimore.

Nga Alb Market, shitesit shprehen se shitjet gjatë dhjetorit kanë qenë të larta për të gjithë llojet e produkteve.

Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit.

Në fakt edhe sipas INSTAT, konsumi ishte në rritje përgjatë gjithë 2021-shit.

Gjatë 9 muajve të vitit 2021, konsumi i popullatës u rrit me mesatarisht 4.2% ku në tremujorin e tretë rritja ishte 3.3%, ku nxitësi kryesor janë produktet farmaceutike.

Ndër grupet me rritjen më të lartë të shitjeve ishin pikërisht mobiliet dhe elektroshtëpiakët.

Në tre mujorin e tretë 2021, shitjet në këta artikuj u rritën me 11.2% në krahasim me periudhën e para-krizës dhe me 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Shitësit e vegjël, shitje të dobëta

Në tregjet e “varfra” me pakicë të kryeqytetit ku përgjithësisht furnizohet shtresa në nevojë e popullsisë, blerjet ishin disi të vakëta.

Përpos artikujve industrialë që patën shitjet më të mëdha edhe nga rritja e mundshme e mëtejshme e çmimeve, tregtarët pohojnë se blerjet e qytetarëve ishin më shumë rutinë, ata të frutave dhe perimeve.

Çmimet e produkteve bazë të shportës u rritën me ritme dyshifrore dhe kjo pengoi blerjen masive nga shtresat në nevojë, si pensionistët apo të papunët.

Edhe disa ditë më parë në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në këto tregje, qytetarët u ankuan se nuk do mundeshin dot të mbushnin tryezën e festave.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në prag festash është një traditë e vazhdueshme në vendin tone në fakt, duke rënduar xhepat e qytetarëve edhe në produktet më të domosdoshme në tavolinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë