Shendet

‘Flourona’, kombinimi i gripit me Covid-19 po bën namin. Mjeku Sallabanda: S’është një sëmundje por dy viruse që ngjiten njëkohësisht

Mjekët ngrenë shqetësimin për kombinimin gjatë javëve të fundit të gripit stinor dhe Covid-19, çka ka “çoroditur” jo vetëm ata por edhe pacientët që janë “dyndur” nëpër qendrat shëndetësore. Në gjuhën e bluzave të bardha kombinimi i dy viruseve quhet “flourona” dhe aktualisht për të kuptuar qartë nëse pacienti ka Covid-19 apo grip të thjeshtë duhet të bëjë patjetër testin PCR.

Mjeku neurokirurg në Madrid, Spanjë Kita Sallabanda Diaz ka shpjeguar për Gazetasi.al se ky kombinim ka qenë diçka që njerëzit i ka çoroditur sepse është konsideruar si një sëmundje. “Nuk është një sëmundje po dy viruse që ngjiten në të njëjtën kohë”, shton mjeku. Sallabanda shperhet se nuk e kemi parë këtë kombinim gjatë vitit të kaluar sepse nuk ka pasur grip dhe rrjedhimisht nuk ka pasur një kombinim të tillë.
Ndërkaq edhe mjeku infeksionist Tritan Kalo në një status në rrjetin social “Facebook” ka konfirmuar se vjeshta dhe dimri ka rikthyer infeksionet aerogenë, edhe viruset stinorë sidomos gripin stinor.
“Shfaqja simptomatike, klinike, biologjike dhe imazherike e tyre është pothuajse e njëjtë, ndaj nuk ka në mesin tonë vetëm Covid-19/Sars-Cov2”,ka shkruar mjeku.
Varianti Omicron duket se ka dhënë impakt të menjëhershëm në vendin tonë dhe pritet që në javët e ardhshëm të arrijë kulmi i infektimeve. Rastet me Covid-19 shënuan një rritje të ndjeshme në 24 orët e fundit, ku u regjistruan 801 qytetarë pozitivë, ndërsa 2 pacientë humbën jetën dhe më i riu ishte 33 vjeç.

Kita Sallabanda Diaz

Sallabanda shton se është e rrallë që dy viruse të bëhen bashkë dhe më shpesh dominon njëri mbi tjetrin dhe më së shumti është virus+baktere.
“Ka pasur pak raste të fluoronës, ato që kemi parë nuk janë të rënda. Varianti Omicron i Covid-19 kap rrugët e sipërme respiratore, ndërsa gripi mund të shkaktojë bronkiolit ose pneumoni virale. Për t’i përballuar të dy variantet janë vaksina, maska dhe mos të ketë takime dhe grumbullime me shumë njerëz”, shton mjeku.

Kur bëhet fjalë për simptomat e fluoronës, mund të jetë e vështirë të bëhet dallimi. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se të dy viruset janë sëmundje shumë infektive të frymëmarrjes dhe ndajnë shumë nga të njëjtat simptoma, të tilla si kolla, ethe, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje e shijes dhe nuhatjes. Për shkak të vështirësisë në dallimin e sëmundjeve nga simptomat OBSH ka deklaruar se nëse personat kanë simptoma duhet të izolohen për të reduktuar rrezikun e përhapjes së infeksionit.
Rasti i parë me gjendjen e quajtur “flurona” u raportua në Izrael dhe ishte një grua e re në javën e saj të 38-të të shtatzënisë. Sipas mjekëve gruaja u trajtua me një kombinim ilaçesh që synon si koronavirusin ashtu edhe gripin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë