Politike

Atentati në “Don Bosko”, Meta: Krimi po sfidon hapur shtetin

Duke iu referuar ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur në ditët e fundit të vitit të kaluar dhe javën e parë të këtij viti, që kulmuan me atentatin në zonën e Don Boskos, Presidenti Ilir Meta thotë se krimi i organizuar po sfidon hapur shtetin dhe institucionet e tij.

“Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës”, shkruan Presidenti.

Meta qorton policinë dhe prokurorinë, duke deklaruar se këto ngjarje janë edhe rrjedhojë e moszbulimit dhe kapjes së autorëve e një sërë aktesh të tjera kriminale që kanë ndodhur në vend.

“I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”, mbyll reagimin e tij Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë