Administrata e Ushqimit dhe Barnave ka autorizuar doza përforcuese të vaksinës Covid-19 për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zgjeruar mbrojtjen kundrejt variantit të ri Omicron.
FDA gjithashtu shkurtoi në pesë muaj kohën e nevojshme midis dozës së dytë të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe një doze përforcuese. Më parë, intervali ishte gjashtë muaj. Këto ndryshime ishin paralajmëruar edhe më herët nga Qendrat e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) dhe këshilltarët e saj këtë javë.
Disa ekspertë shëndetësorë e lavdëruan masën, por të tjerë e kritikuan atë, duke thënë se seria fillestare e injektimeve me dy doza siguroi mbrojtjen e duhur kundër sëmundjeve të rënda. Ata vunë në dyshim nëse fëmijëve të shëndetshëm duhet t’u jepet një vaksinë shtesë që është lidhur me një efekt anësor të rrallë kardiak të quajtur “miokarditi”.
Ndërkaq ekspertët e FDA thanë se agjencia zgjeroi aksesin në dozat e treta sepse të dhënat nga përvoja e botës reale dhe testet laboratorike tregojnë se këto doza forcojnë ndjeshëm mbrojtjen – veçanërisht kundër variantit Omicron dhe kanë një rrezik minimal.
Zyrtarët cituan të dhëna izraelite që përfshinin më shumë se 6,300 fëmijë të moshave 12-15 vjeç që nuk treguan probleme të reja sigurie midis atyre që morën një dozë të tretë të vaksinës Pfizer-BioNTech. Dhe ata thanë se nuk kishte raste të reja të komplikimeve të lidhura me zemrën.

Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik të FDA-së, tha se rreziku i miokarditit, i rrallë në çdo rast, ishte më i ulët pas një injeksioni përforcues sesa pas injektimit të dytë. Edhe kur miokarditi ka ndodhur pas injeksioneve të dyta, tha ai, rastet pothuajse të gjitha kanë qenë të lehta.
Ai tha se të dhënat e reja dhe konkluzionet që agjencia nxori nga informacioni tregojnë se “rreziku i miokarditit me doza të treta në rangun e moshës 12 deri në 15 vjeç ka të ngjarë të jetë mjaft i pranueshëm duke pasur parasysh përfitimet e mundshme” të parandalimit të sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital.
Intervali më i shkurtër do të thotë që dikush që ka marrë dy vaksina të Pfizer-BioNTech mund të marrë një vaksinë të tretë të asaj vaksine ose një tjetër pas pesë muajsh. Marks tha se intervali u ndryshua për vaksinën Pfizer-BioNTech sepse kishte të dhëna për të mbështetur një ndryshim të tillë.
Lidhur me fëmijët me imunitet të kompromentuar, FDA tha se autorizoi një dozë të tretë për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, të cilët i janë nënshtruar transplantove të organeve ose kanë sistem imunitar të dëmtuar për arsye të tjera. Agjencia ka shpjeguar se dozat e treta mund të administrohen 28 ditë pas injektimit të dytë dhe kjo gjë nuk vlen për fëmijët e shëndetshëm.
Burimi:The Washington Post/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje