Sot (4 janar) është afat i fundit për pranimin e punonjësve të administratës, supermarketeve, qendrave tregtare dhe marketeve të vogla pa pasur një certifikatë vaksinimi.
Duke nisur nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekspertëve të Komitetit Teknik në vendin tonë, Gazetasi.al u përpoq të kontaktojë me disa nga supermarketet më të mëdha gjeografikisht në vend por nuk mori një përgjigje nëse ishte bërë verifikimi i punonjësve për vaksinim.
Nga ana tjetër punonjës në qendrat tregtare thanë për Gazetasi.al se sot (4 janar) nuk patën asnjë pengesë për të shkuar në punë dhe nuk kanë pasur as ndonjë lajmërim të vazhdueshëm për sa i përket certifikatës së vaksinimit.
E.S e cila punon shitëse në një nga qendrat tregtare më të mëdha në kryeqytet i tha Gazetasi.al se ajo është e vaksinuar por nga nuk iu kërkua certifikata e vaksinimit as nga administratorët e dyqanit ku punon dhe as nga ata të qendrës.
Ndërsa J.G e cila është punonjëse e shërbimit të klientit tek një nga supermarketet me produkte mbi shtëpinë në periferi të Tiranës, tregon se i’u është dhënë udhëzimi që në dhjetor për certifikatën e vaksinimit por nuk e kanë dorëzuar certifikatën.
“Nuk e kam bërë vaksinën dhe nuk do ta bëj nga urdhri. Kam vendosur të tregoj dokumentin e testimit PCR”, shton ajo.
Urdhri i fundit i datës 23 dhjetor përcaktoi se të gjithë punonjësit e këtyre subjekteve, duhet të depozitojnë pranë qendrës së punës një nga dokumentet që tregon se nuk është bartës i virusit.

Areti Beruka, inspektore në Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror i tha Gazetasi.al se efekti i aktit normativ fillon pas datës 4 janar dhe në të janë të gjitha modalitetet se si një punonjës duhet të paraqesë në punë dokumentet që tregojnë në është i vaksinuar, testi PCR çdo 5 ditë apo dokumentin që ka kaluar Cvoid-19.
“Në vijim do të monitorojmë procesin konform aktit normativ”, shtoi Beruka.
Ndërkaq përjashtim nga urdhri bëjnë pjesë vetëm individët që kanë një arsye mjekësore që nuk janë vaksinuar. Krahas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për kontrollin konform të aktit do të jetë edhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Situata e Covid-19 në vendin tonë ka pësuar një luhatje në shifrat e infektimeve të cilat kanë filluar të kenë një rritje të lehtë. Përgjatë javës së fundit numri i infektimeve arriti deri në 708 raste të reja, në një kohë kur në vendin tonë është konfirmuar dhe varianti i ri Omicron.
Ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri e kanë konsideruar vaksinën e Covid-19 si një aksesor tepër të rëndësishëm mbi mbrojtjen jo vetëm ndaj variantit të ri por edhe sëmundjes Covid-19. Sipas të dhënave të fundit nga Komiteti Teknik i Ekspertëve vaksinimi ka arritur në 40% për popullatën e përgjithshme dhe deri në 50% për popullatën target.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje