Art dhe Kulture

Instalacioni “Zâni” si kumt i pakohë shpirtëror, por tiranasit s’po munden ta kuptojnë

Skulptori: Kur u ndërtua Kulla Eiffel, shumica e intelektualëve të Parisit ishin kundër

Nga Luljeta Nelallari – “E kam parë, më pëlqen, po nuk e marr vesh çfarë kuptimi ka”, thotë Merita, 28-vjeç, banore e zonës së Bulevardit Zogu I për veprën e artit të vendosur në atë hapësirë publike.

“Zâni” është instalacioni elegant që i është shtuar kryeqytetit, në Bulevardin Zogu I, nga skulptori Sadik Spahija, dhe përbëhet nga ndërthurja e tubave të hekurit të madhësive të ndryshme, që të krijojnë përshtypjen sikur mbajnë njëri-tjetrin pezull.

Kjo vepër që fizikisht duket imponuese, me përmasa shumë të mëdha, që arrijnë 16 m lartësi e gjerësi, vjen edhe me një koncept figurativ e meditativ.

Por, banorët e kësaj zone duket se janë larg zbërthimit artistik të kësaj vepre arti bashkëkohore dhe më shumë e shohin si pengesë, sesa si diçka artistike që ka një mesazh e të bën të reflektosh.

“Çdo projekt duhet të japë një mesazh të caktuar, kjo nuk jep, të ishte një shatërvan më mirë”, thotë një tjetër banor i zonës, ndërsa tek e pyes nëse arrin ta kuptojë dhe zbërthejë më thotë se “këto janë organo muzike, ndoshta japin mesazhin që rrini më të qetë si qytetarë, jetoni në komunitet në mënyrë më të këndshme”.

Të konsideruara në versionin figurativ si degë pemësh këto tuba (organo muzike) ndërthuren qoftë për t’i bërë hije kalimtarit, e njëkohësisht duke e lënë atë të shijojë edhe depërtimin e dritës së diellit apo vijëzimin e kontureve të lakuara nga drita e natës, si një përjetim urban i formave të së ardhmes.

Por, vështirë që kjo vepër arti e pakohë të pranohet nga shqiptarët e zakonshëm apo ndoshta u duhet pak kohë?!

“Është diçka shumë e mirë, dhe mirë që bëhen investime, por do ishte më mirë diçka më e bukur aty, ndoshta një shatërvan”, thotë Gëzimi, banor i asaj zone dhe që ka një hotel aty pranë. Edhe pse ka shëtitur botën, Gëzimi e ka të vështirë të më japë një shpjegim për këtë vepër arti.

“Nuk jam në gjendje të përgjigjem se çfarë është ajo, nuk mund ta zbërthejë artistikisht”, thotë Gëzimi, ndërsa shton se ka dëgjuar dhe banorë të tjerë që thonë “për çfarë i duam këto tuba hekuri këtu”.

Por si lindi kjo vepër arti e ç‘mesazhesh do t’i japë publikut kryeqytetas e jo vetëm?

Autori Sadik Spahija, artisti që prej vitesh u ka dhënë dinjitet figurave të mëdha të kombit, duke u ngritur shtatore, i ka kushtuar diku te rreth 5 vite fizikisht kësaj vepre arti me një kumt të pakohë. Skulptori i njohur thotë se vepra “Zani” që tashmë është instaluar në sheshin publik, është pjesë e një ekspozite të tri vjetëve më parë në Arturbina.

“Ky instalacion është pjesë e ekspozitës ‘Voc Machina’, të hapur tre vjet më parë në ArTurbina, pra embrioni i kësaj pune ka qenë pjesë e një strukture të tërë që kishte ekspozita. Platforma Harabel në kërkimet e tyre në hapësirën artistike shqiptare e kanë përzgjedhur për ta shndërruar në një vepër publike”, thotë skulptori për Gazetën “Si”.

Sa i përket mesazhit, skulptori thotë se është një vepër që kërkon të përcjellë paqe dhe harmoni mes natyrës e urbanes apo si ndërlidhëse e tyre. Ai e cilëson në thelb si një metaforë të natyrës.

“Vepra në vetvete ka një qasje që i takon komunikimit shpirtëror, një qasje që krijon një metaforë të natyrës, apo edhe të muzikës. Në embrionin e vet ishte konceptuar si një organo, pra një vegël muzikore, të gjithë njerëzit e njohin, pra historia kulturore e jona ka rëndësi që të jetë e pranishme në sheshe. Rrugës ajo u transformua në një strukturë, që nënkuptonte edhe një grup pemësh, që njerëzit mos ta konsiderojnë si një pengesë. Mënyra si është pikturuar ajo të kujton stinën e pranverës ku pemët çelin, pra krijohet një metaforë tjetër poetike”, thotë Spahija.

Vepra “Zani” nuk kërkon të përçojë ndonjë mesazh të koduar artistik, por të nënvizojë se natyra e ka zbërthyer bukurinë shumë më parë sesa ta bëjmë ne.  Vetë termi “Zani” ka një qasje që i takon më shumë komunikimit shpirtëror e çdokush mund të meditojë rreth kësaj vepre.

“Çdokush kur dëgjon fjalën zani ndjen një tingull, fillimisht ishte zani i pemës. Zani nënkupton fëshfëritjen e pemëve, nënkupton dhe bisedat njerëzore që bëhen rrotull saj, nënkupton dhe tingujt që mund të bëjnë ata. Pra, ‘Zani’ është zani i natyrës, zani njerëzor, nuk është një za që tregon një histori apo një za i politikës”, vijon më tej artisti, ndërkohë që i fton njerëzit që të bashkëveprojnë e dialogojnë me këtë vepër. “Njerëzit mund të ulen te ai shesh, ta konsumojnë atë hapësirë, në rreth mund të ulen njerëzit, pse jo të zhvillohen dhe debate e takime kulturore”.

Skulptori Sadik Spahija

Duke e konsideruar si një aksion kulturor në qytet, skulptori Spahija ka idenë e qartë që njerëzve nuk duhet t’u japim vetëm figura historike, por edhe pjesë të paqta si ky instalacion.

“Njerëzit nuk duhet të shohin vetëm figura historike, por të shohin edhe pjesë të paqta të jetës së tyre dhe të mësohen me këtë gjë, të gjithë brezat edhe brezat e rinj”, ndërsa duke kujtuar kohën e instalimit, vë në pah një përpjekje të brezave të rinj për të qenë më afër të së resë.

“Mua më ka qëlluar gjatë kohës që nuk ishte e ndërtuar plotësisht kur ishin tubat, u afrua një gjyshe me nipin e saj, dhe më pyeti ma shpjego. Vetë fëmija filloi të bënte komentin e vet: unë e njoh, e kam bërë si vizatim gjethen e pemës”. 

Spahija na zhvendos në të tashmen globale, ndoshta të mjegullt, pa trajta, por të lirë, pasi sipas tij është e gabuar që të vendosen kufij në vështrime në publik.

“Ne jemi mësuar të shohim në qytet personazhe historikë, por kemi nevojë të ndërtojmë në qytet jetën e lirë, poezinë e lirë, fjalën e lirë dhe komunikimin e lirë”.

Ndërsa thekson se njerëzit duhet t’i mësojmë me këtë gjuhë, skulptori është i vetëdijshëm edhe për kundërshtimet që lindin në publik. Lidhur me veprën e tij, ai sjell një paralelizëm me vepra arti të tjera në botë.

“Kur u ndërtua Kulla Eiffel shumica e intelektualëve të Parisit ishin kundër, sot ajo është simboli i veprës publike në botë. Çdo diçka e re mund të ketë impakt edhe kundërshtues, si rasti i kësaj vepre. Në komunikimet gjatë instalimit më është dashur të japë shpeshherë shpjegime sepse njerëzit kishin qasje të ndryshme, vepra do një kohë që gjithë njerëzit ta kuptojnë”.

Me vështirësinë e të kuptuarit nga banorët e nga njerëz që jetën nuk e kanë të lidhur aq me artin, është përballur dhe ai vetë. 

“Pse po i sillni këto tuba? A doni të bëni ndonjë ndërtim?”, kujton ai duke qeshur.

Por përpos vështirësisë në të kuptuar të këtij instalacioni, duke qenë se kjo vepër ka të bëjë me shpirtin e u përket të gjithëve, artisti është shpresëplotë që në rrjedhën e kohës dhe ai që s’e ka këtë ndjeshmëri do të pasurohet ngadalë-ngadalë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë