Keshilla

Si ndikojnë pushimet e fundvitit te fëmijët me autizëm dhe kujdesi që duhet të tregojnë prindërit

Sezoni i festave sjell strese të fshehura për shumë fëmijë me spektrin e autizmit. Ekspertët thonë se ndryshimet në rutina, orare dhe rritja e kërkesave sociale janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit me autizëm gjatë kësaj periudhe të vitit. Për fat të mirë, shumë nga këto sfida mund të shmangen ose zbuten. Me përgatitje dhe mirëkuptim, prindërit dhe pjesëtarët e familjes mund të ushqejnë gëzim dhe paqe në kohë festash.

Psikologja e zhvillimit Mariglena Muçi tregon disa mënyra se si prindërit dhe pjesëtarët e familjes mund t’i bëjnë pushimet dimërore më të lumtura për fëmijët me spektrin e autizmit.

Vendosni se si t’i zhvilloni takimet dhe pritjet e familjarëve

Të gjithë mund të kenë dëshira të ndryshme përsa i përket mbledhjeve me njëri-tjetrin për festa, por e rëndësishme është të bëni kompromise. Jini të qartë me ata se çfarë do të funksionojë dhe çfarë jo.

“Për shembull, gjyshja mund të dëshirojë që të gjithë së bashku të shkoni në shtëpinë e saj dhe më pas të dilni në sheshin e mbushur me njerëz. Por, ju e dini se ambientet me shumë njerëz, janë bezdisëse për fëmijën tuaj me ÇSA. Ato mund t’i shkaktojnë stres, ankth dhe ta bëjnë fëmijën tuaj agresiv. Prandaj zgjidhni më mirë të vizitoni gjyshen dhe më pas të konsumoni një darkë të qetë me familjen. Në këtë mënyrë, mbeten të gjithë të kënaqur”, thotë Muçi.

Zgjidhni kohën e duhur për aktivitete

Fotografi Ilustruese

Duke qenë se janë pushime festash, ditët janë të ngarkuara dhe të mbushura me aktivitete. Sipas Muçit, kjo është një mënyrë e mirë për të angazhuar fëmijën tuaj dhe për të kaluar ditën. Por duhet pasur parasysh, që të zgjidhni momente të përshtatshme.

Për shembull, nëse doni të shëtisni, bëjeni më mirë paradite, se ka më pak lëvizje dhe është më pak ftohtë. Kjo do të bëjë që të mos përballeni me shumë njerëz, që mund të jenë bezdi për fëmijën tuaj. Gjithashtu edhe temperaturat e ajrit ndikojnë në humorin e fëmijës suaj, prandaj është më mirë paraditja. Ndërsa, nëse vendosni të hani darkë është mirë shkoni në orën 17:00 ose pas orës 19:00, sepse ka më pak njerëz dhe lëvizje.

Ruani rutinat

Muçi këshillon prindërit që të përpiqen vazhdimisht të ruajnë rutinat si koha e gjumit, e dushit, vaktet ushqimore të fëmijëve. Në këtë mënyrë, fëmija ka diçka për të cilën mund të llogarisë se është njësoj. Atyre u pëlqen parashikueshmëria, prandaj nëse bëni një ndryshim në rutinë njoftojeni fëmijën ose parapërgatiteni më parë. Fëmijëve me ÇSA nuk u pëlqen tu ndryshojë rutina dhe kanë vështirësi të përshtaten me ndryshime ose gjëra të reja, prandaj është mirë t’i përgatisni ata më parë.

Bëni kujdes me ushqimin

Fotografi ilustruese

Gjatë festave, një rëndësi të veçantë merr ushqimi dhe sidomos ëmbëlsirat dhe për këto duhet bërë kujdes i veçantë. Nëse fëmija ndjek një dietë të veçantë, njoftojini të gjithë për këtë dhe kërkojuni të mos ofrojnë shumë ushqime, veçanërisht ëmbëlsirat. Duke qenë se miqtë dhe familjarët gatuajnë ushqime dhe sidomos ëmbëlsira këto kohë, dëshira e tyre më e madhe është që ti provojnë edhe fëmijët. Kështu, nëse prindërit u thonë para njerëzve se çfarë duhet të hajë dhe nuk duhet të hajë fëmija i tyre me spektrin e autizmit, mbajnë nën kontroll rutinën e fëmijës.

“Kujdes i veçantë duhet tek sasia e ëmbëlsirave, sepse ato shkaktojnë shumë pagjumësi tek fëmija, gjë e cila përkthehet më pas në irritim dhe nervozizëm”.

Bëni kujdes me vizitat

Kur bëni vizita jashtë ose tek miqtë apo të afërmit tuaj kufizoni kohëzgjatjen e vizitës dhe sigurohuni që fëmija juaj ka dëshirë të shkojë atje. Nëse kuptoni se fëmija juaj nuk është i qetë ose nuk ka dëshirë, lëreni vizitën për ditë tjetër. Ose zgjidhni të shkoni në një ambient ose vend të qetë për tu relaksuar.

Gjithashtu bëni kujdes edhe me vizitorët

Gjatë ditëve të festave, vizitat janë të shumta. Ju duhet tu bëni të ditur vizitorëve se ato të paparalajmëruara janë stresuese dhe të bezdisshme për fëmijët të cilët janë të prekur nga spektri i autizmit. Kërkojini që ata tu telefonojnë më parë, dhe të vijnë në momente të përshtatshme, që funksionojnë në familjen tuaj. Gjithashtu tregojuni oraret që janë më të përshtatshme dhe për fëmijën tuaj, pa prishur rutinën e tij në orarin kur duhet të flejë ose të ushqehet.

Programoni aktivitete gjatë ditës

Duke qenë se pushimet zgjasin disa ditë, mundohuni të zhvilloni aktivitete të ndryshme për të mbushur ditën. Muçi këshillon që të shikoni filma krishtlindjesh ose komedi, të luani me lodra, të lexoni libra me përralla, ose të dekoroni shtëpinë tuaj.

“Një mënyrë shumë e mirë është që prindërit të përgatisin mjete zbukurimi handmade me fëmijën”.

Nëse jeni në punë ose të zënë mund t’ua sugjeroni këto kujdestarëve të fëmijës ose të afërmve, që mund të kujdesen për ata. Gjithashtu Muçi thotë se mund ta njihni fëmijën tuaj me Babagjyshin e Vitit të Ri.

“Është mirë që prindërit tu flasin më parë për atë dhe t’i tregojnë foto ose imazhe të tij. Duhet të kenë kujdes me dritat dhe ngjyrat e forta, sepse ato ndikojnë në gjendjen emocionale të fëmijës”, thotë Muçi.

Bëjini dhurata fëmijës suaj

Fotografi ilustruese

E veçanta e festave janë dhuratat. Ashtu si çdokujt tjetër, edhe atyre u pëlqejnë dhuratat, e madje janë shumë kuriozë. Por Muçi shpjegon se duhet pasur parasysh që grisja e letrës së ambalazhimit mund të jetë një sfidë për fëmijët me motorikë të dobët. Disa të tjerë mund të shqetësohen ose tremben duke mos ditur se çfarë ka brenda. Prandaj është mirë që për fëmijët me motorikë të dobët të vendosen dhuratat në çanta me një lidhëse të lehtë dhe praktike për tu hapur. Ndërsa për të tjerë mund të vendosësh një foto ose imazh të saj, që është brenda kutisë. Kështu fëmija do të kuptojë çfarë është konkretisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë