Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë fundvit në zyrat e Postës ku kategori të ndryshme vulnerabël detyrohen të mbajnë radhë të gjata për të marrë pagesat nga shteti. Një pingpong i vërtetë ndodh edhe këto ditë me listat e invalidëve, ndërkohë që radhët shtohen nga pensionistë, si pasojë e pushimeve të gjata të administratës.
“Babai im është 74 vjeç dhe çdo datë 28 të muajit bën ritualin e tij të zakonshëm, merr autobusin dhe pret radhën në zyrën e postës në zonën e Brrylit për të tërhequr pagesën e invaliditetit të motrës. Por sot u kthye duarbosh në shtëpi. Motra ime invalide përfiton një pagesë 90 mijë lekë, por ajo që më shton ankthin është frika se mos im atë mund të infektohet nga Covid”, tregon shqetësimin e saj Blerina për një dukuri që ndodh shpesh në zyrat e postës, ku shpërndahen pagesat.
Në pritje të marrjes së pagesës këtë të martë, te zyra e Postës te Brryli ishin më shumë se 100 persona. Mes tyre kishte kryefamiljarë, nëna të vetme që kanë në kujdestari fëmijët para e tetra plegjikë apo me probleme të shëndetit mendor. Sipas Blerinës, nuk është hera e parë që në këtë periudhë fundmuaji, bëhet një pingpong me pagesat e një kategorie vulnerabël.
“Babai më tregon se kështu ndodh rëndom por sot punonjëset e Postës i kanë shpjeguar se si pasojë e pushimeve të gjata si kjo e kësaj fundjave që përkoi me Krishtlindjen, nuk janë hedhur në sistem emrat e përfituesve nga bashkia e Tiranës”, thotë e reja.

Gazeta “Si” u interesua në zyrat e tjera të postës në Tiranë dhe situata ka qenë e njëjtë. Në zyrën e postës pranë gjimnazit “Qemal Stafa”, që në mëngjes herët pensionistët kishin zënë radhën në pritje të tërheqjes së pensionit.
Burime nga zyra e kësaj poste na konfirmuan se fondi që kanë shpërndarë këtë të martë ka qenë ai i pensioneve, akorduar nga Sigurimet Shoqërore dhe bonusi për tërmetin, ndërsa për pagesat e paaftësisë nuk ka pasur fond në dispozicion.
Pingpongu me listat
Kryetari i Njësisë Bashkiake nr.2 në Tiranë, Florian Pullazi konfirmon se lista e përfituesve të kësaj njësie është dërguar prej ditësh në Bashkinë e Tiranës, ndërsa burimet brenda zyrave postave bëjnë me dije se në sistem nuk është hedhur asgjë.
Në zyrën e financës pranë Drejtorisë së Postës Qendrore thonë se vonesa është shkaktuar nga pushimi i gjatë në fundjavë, ku gjatë ditës së hënë nuk kanë qenë të hapura as bankat dhe as zyrat e Bashkisë e Postës.
Sipas burimeve, sot sportelet e postave kanë shpërndarë vetëm pagesat e ndihmës ekonomike dhe bonusin e tërmetit, ndërsa vijon rregullisht shpërndarja e pensioneve sipas datave.
Kurse për pagesat e invaliditetit askush nuk thotë asgjë.
Këtë muaj, me vendim qeverie kategoria e personave me aftësi të kufizuar do të marrë dhe shpërblimin për festat e fundvitit e duket se ky fond nuk është gati bashkë me fondin e pagesës që lëvrohet çdo muaj. Por duket se edhe për këtë fond, familjarët e personave me aftësi të kufizuar do të jenë të detyruar të presin përsëri në radhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




