Art dhe Kulture

Joan Didion, “Gazetarja e re” që eksploroi kulturën dhe kaosin, vdes në moshën 87-vjeçare

Joan Didion, përmbledhjet e së cilës mbi kulturën e Kalifornisë dhe kaosin e viteve 1960 e vendosën atë si një eksponente kryesore të “Gazetarisë së Re”, vdiq të enjten në shtëpinë e saj në Manhatan, në moshën 87-vjeçare. Romanet e saj “Play It As It Lays” dhe “A Book of Common Prayer” e shpallën një zë të ashpër, të shkurtër dhe të veçantë në letërsinë amerikane.

Shkaku ishin ndërlikimet e sëmundjes së Parkinsonit, sipas një emaili të dërguar nga Paul Bogaards, një ekzekutiv në Knopf, botuesi i zonjës Didion.

Zonja Didion u bë e njohur me një seri artikujsh të veçantë dhe të rëndësishëm në revistën “Life” dhe “The Saturday Evening Post” që eksploronin skajet e rrënuara të jetës amerikane të pasluftës. Kalifornia, shteti i saj i lindjes, i dha asaj materialin më të pasur. Në skica të mprehta, të njohura, ajo kapi ashpërsinë dhe bukurinë e saj, të shkuarën që po zhdukej me shpejtësi dhe fuqinë e saj si një laborator kulturor.

Raportimi i zonjës Didion pasqyronte një “gazetari jashtëzakonisht të personalizuar, në të cilën karakteri i narratorit ishte një nga elementët në mënyrën se si lexuesi do ta vlerësonte përfundimisht përvojën”.

Tërheqja e saj ndaj vendeve problematike, personaliteteve të shpërbëra dhe kaosit fillestar erdhi natyrshëm. Në esenë me titull “The White Album”, ajo përfshiu vlerësimin e saj psikiatrik pasi mbërriti në klinikën ambulatore të spitalit St. John’s në Santa Monica, duke u ankuar për marramendje dhe nauze.

Aty thuhej pjesërisht: “Sipas pikëpamjes së saj ajo jeton në një botë njerëzish të prekur nga motive të çuditshme, konfliktuale, të keqkuptuara dhe, mbi të gjitha, dredharake, të cilat i detyrojnë ata në mënyrë të pashmangshme në konflikt dhe dështim”. Ky përshkrim, të cilin zonja Didion nuk e kundërshtoi, mund të përshkruante heroinën arketipale të romaneve të saj.

“Talenti i saj ishte për të shkruar për gjendjen shpirtërore të kulturës”, tha shkrimtarja Katie Roiphe në një intervistë. “Ajo arriti të kanalizojë frymën e viteve 1960 dhe 1970 përmes shkrimit të saj jashtëzakonisht idiosinkratik dhe personal – domethënë në dukje personale. Ajo përputhej në mënyrë të përkryer me kohën, me ndjeshmërinë e saj pak paranojake, pak histerike dhe të fortë. Ishte një ndërthurje e përsosur e shkrimtarit me momentin”.

Znj. Didion më vonë iu drejtua raportimit politik, duke paraqitur ese të gjata për “The New York Review of Books” mbi luftën civile në El Salvador dhe kulturën e emigrantëve kubanë në Miami; ato u botuan në formë libri si “Salvador” dhe “Miami”.

Joan Didion lindi më 5 dhjetor 1934, në Sacramento nga Frank dhe Eduene (Jerrett) Didion.

Si adoleshente, zonja Didion shtypi kapituj nga romanet e Hemingëay për të parë se si funksiononin. Ajo u ndikua thellësisht nga trajtimi i dialogut dhe heshtjes nga Hemingway. Joseph Conrad ishte një tjetër ndikim formues.

Në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, ku fitoi një diplomë bachelor në anglisht në 1956, zonja Didion paraqiti një draft të hershëm të një tregimi të shkurtër te Mademoiselle dhe fitoi një vend si redaktore e ftuar e trillimeve për revistën.

Në vitin 1964, ajo u martua me John Gregory Dunne, një shkrimtar në “Time”, me të cilin ishin miq për disa vite. Ata u zhvendosën në Kaliforni dhe filluan të shkruanin skenarë. Ata adoptuan gjithashtu një vajzë, Quintana Roo.

Zonja Didion me vajzën e saj, Quintana Roo, dhe bashkëshortin e saj, John Gregory Dunne, në shtëpinë e tyre në Malibu në Kaliforni në 1972

Me kalimin e kohës ata u bënë një çift magjepsës bibregdetar, me njërën këmbë në Hollywood dhe tjetrën në sallonet letrare të Manhattan-it. Z. Dunne vdiq nga një atak në zemër në 2003 në moshën 71-vjeçare. Dy vjet më vonë, Quintana Roo Dunne vdiq nga pankreasi dhe shoku septik në moshën 39-vjeçare. Zonja Didion shkroi për vdekjen e të shoqit dhe sëmundjen e vajzës së saj në “The Year of Magical Thinking” 2005), i cili fitoi Çmimin Kombëtar të Librit në vitin 2005 për letërsinë jofiction dhe u përshtat për skenën e Broadway-it në 2007. Zonja Didion mori temën e vdekjes së vajzës së saj në kujtimet e saj të vitit 2011, “Blue Nights”.

Zonja Didion në apartamentin e saj në Nju Jork në 2005

Zonja Didion ndërtoi një karrierë në shumë dimensione kushtuar raportimit, skenarit dhe letërsisë artistike. Raportimi, tha ajo dikur, e detyroi atë të hynte në jetën e njerëzve të tjerë dhe e lejoi atë të mblidhte informacionin dhe përshtypjet që ushqenin trillimet e saj. Shkrimi i skenarit, në të kundërt, ofronte një devijim, si të punosh një fjalëkryq. Ajo ishte jashtëzakonisht e suksesshme në të tria.

Në vitin 1970, ajo dhe bashkëshorti i saj, pasi zgjodhën një histori për të varurit nga droga në Upper West Side të Manhatanit, shkruan skenarin për “Panic in Needle Park”, një film që i dha Al Paçinos rolin e tij të parë kryesor.

Në vitet e saj të mëvonshme, zonja Didion braktisi raportimin tradicional dhe shkroi një formë kritike kulturore që përqendrohej në mënyrën se si shtypi dhe televizioni interpretuan ngjarje të caktuara, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale dhe rrahjen dhe përdhunimin e një vrapuesi në Central Park në 1989.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë