Rend dhe Ligj

Natën e Vitit të Ri nuk ka orë policore. Nën vëzhgim personat me precedentë penal

Në prag të festave të fundvitit, Policia e shtetit ka shtuar masat për sigurimin e jetës dhe pronës, duke kaluar në “Shërbim të Përforcuar”.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj tha se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit. 

Përveç shtimit të prezencës së policisë në akset rrugore dhe pikat kufitare, policia tha se do të mbahen në monitorim edhe personat me precedent penal, sidomos e atyre që kthehen për të festuar në vendin tonë.

Policia ka pasur një apel edhe për qytetarët që më 31 dhjetor të shmangen grumbullimet në shesh për të shmangur infektimet dhe përdorimi i fishekzjarrëve.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj theksoi se masat kufizuese ndalojnë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve apo mbajtjen hapur të lokaleve pas orës 23:00 të mbrëmjes dhe deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve, që nuk do të ketë orë policore.

Sa i takon kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, Dervishaj tha se po intensifikohen kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara, të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët, me qëllim që të parandalohen situata që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë