Ngjarje

Foto-Video/ Nis protesta e Berishës kundër Vuçiçit, kangjella metalike dhe forcat speciale me snajperë rreth kryeministrisë

Ka nisur protesta e paralajmëruar para godinës së Qeverisë nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër samitit “Open Balkan” në Tiranë, ku forca të shumta policie dhe efektivë të Gardës së Republikës janë dislokuar në ambientet rreth selisë. Është vetë lideri historik i demokratëve që udhëheq tubuesit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Pak para nisjes së tubimit të paralajmëruar prej tij, ish-kryeministri Berisha dha dhe një deklaratë për media.

Ai tha se kjo protestë është kundër aleancës triraterale, Beograd-Tiranë dhe Shkup, e cila i kundërvihet sipas tij nismës së Berlinit.

“Sot bashkohen në protestën e tyre të parë më të fuqishme në mbrojtje të interesit të tyre kombëtar të shkelmuar nga regjimi, kreu i meduzës Edvin Rama. Protesta është kundër aleancës triraterale, Beograd me vasalët e tij, Tiranë-Shkup dhe nuk është aspak kundër bashkëpunimit rajonal. Është kundër kësaj aleance të mishëruar Ballkani i Hapur dhe refuzohet në mënyrë të prerë nga tre vende të tjera të Ballkanit. Kemi të bëjmë me një qëndrim në mbrojtje të interesit kombëtar. Kjo nismë i kundërvihet në mënyrë flagrante nismës së Berlinit e frymëzuar nga Aleksandër Vuçiçiç dhe Edvin Kristaq Rama. Ballkani i Hapur u themelua nga Aleksandër Vuçiç, por nëse ka diçka të rëndë. Simboli kuq e zi është simboli i përhershëm i shqiptarëve”, tha Berisha.

Në podiumin e improvizuar përpara selisë së qeverisë, përpos Sali Berishës do të ketë edhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-kryeministrit që do të mbajnë fjalim, mes tyre Bujar Nishani, Albana Vokshi e Belind Këlliçi.

Në fotot dhe videon të siguruar nga Gazetasi.al, shihen pjesëtarë të forcave speciale dhe snajperistë, të cilët para protestës përgatiten për t’u pozicionuar rreth godinës.

Siç ka njoftuar më herët, Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë dhe të protestojnë edhe për aferën e inceneratorëve të Elbasanit, për të cilën u arrestuar pak ditë më parë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Siç ka ndodhur edhe në protestat e mëparshme, kangjellat metalike, do të vendosen për të rrethuar pjesën e parme të godinës për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të dhunshëm të protestës.

Po ashtu, shtyllat ku janë vendosur kamerat e sigurisë, janë lyer me graso me qëllim që protestuesit të mos ngjiten për të dëmtuar kamerat.

Ndërsa instalacioni i kërpudhës së famshme, para kryeministrisë, e cila është dëmtuar nga protesta të hershme të opozitës disa vite më parë, është zvendosur. 

Ndërkohë i gjithë bulevardi është mbushur me flamuj shqiptar, serb dhe të Maqedonisë së Veriut, si simbol të tre vendeve që janë pjesë e kësaj nisme.

Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 2 mijë forca policie për mbrojtjen e sigurisë, ku në ndihmë të tyre do të jenë edhe forcat e Gardës së Republikës dhe repartit “Shqiponja”. Rreth pasdites ë të hënës, Vuçiç, Zaev dhe delegacionet që i shoqëron, do të priten në një darkë jo formale në Elbasan.

Ndërkohë që të martën (21 dhjetor), në orën 09:00 do të jetë mbërritja e presidentit serb dhe dhe Zoran Zaevit me delegacionet respektive në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Në këtë samit pritet të firmosen 6 marrëveshje bashkëpunimi dhe pas forumit do të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp e tre liderëve të Iniciativës Ballkani i Hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë