Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar këtë të hënë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija, i cili zëvendëson në këtë detyrë, Agim Ismailin.
Në fjalën e tij prezantuese përpara gjithë krerëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Manja bëri një ekspoze të shkurtër të punës dhe arritjeve të ish-drejtorit Ismaili, duke vlerësuar angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre.
“Falënderoj Agimin për punën e bërë. Eksperienca e tij është e çmuar dhe do të donim që ai të mos i shkëpuste urat e komunikimit me Ministrinë e Drejtësisë, edhe pas çdo detyre që do t’i caktohet”, ka thënë Manja.
Ndërkohë ai ka përmendur karrierën e Abrijas, duke e cilësuar atë mjaft pozitive, si dhe mundësinë që i jepet drejtorit të ri të Burgjeve të punojë me një kuadër të ri ligjor në sistemin penitenciar.
“Në bisedën me Admirin, i kam parashtruar vizionin dhe objektivat e mia. Pres që ato të vihen në jetë nga dita në ditë”, është shprehur Manja, dhe më pas duke iu drejtuar gjithë stafit, ka paralajmëruar filtrim të të gjithë burimeve menaxhuese, menjëherë pas mbylljes së këtij viti.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe e gjithë piramida e këtyre institucioneve, pavarësisht gjithë problematikës për të cilën unë jam në dijeni të plotë, duhet të jetë model në zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk dua të kemi ngjashmëri as hipotetike me imazhe që herëpashere vijnë nga institucione të tilla nga vendet fqinjë”, ka thënë Manja.
Agim Ismaili është shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve me vendim të Këshillit të Ministrave pikërisht pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




