Kuvendi i 18 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve ishte padyshim Kuvendi i Lulzim Bashës, një kuvend i mbledhur me një qëllim në thelb; konfirmimin e tij në krye të PD-së dhe mbylljen e kapitullit “Berisha”.
Pikërisht tek ish-bashkëpunëtori i tij u fokusua në shumicën e fjalës edhe Lulzim Basha.
“Nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, por për të thënë disa të vërteta që për shumë gjatë nuk i kemi shqiptuar, apo vetëm i kemi belbëzuar.
E di që disa mezi presin t’i dëgjojnë, e di po ashtu se disa të tjerë mund të mërziten prej tyre. Por sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës.
Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Që ne të bëhemi bindës për shqiptarët, që ne të rikthejmë besimin e shqiptarëve tek Partia Demorkatike, duhet të guxojmë tu themi atyre se “si do jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër”, tha ai.
Basha premtoi se PD do të jetë partia më e pastër në përbërje të saj.
“Nuk do të lejojmë në stukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste. Historia e genocidit komunist në Shqipëri, nuk do gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në cfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qenieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organizata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do tëj jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, tha ai.
Më pas Basha u ndal tek cështja “Berisha”
“Ndaj edhe ky Kuvend i jashtëzakonshëm zhvillohet si një akt i vetëdijshëm dhe i një përgjegjësie të lartë nga ana e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht, për një moment shumë jetik, thelbësor, dhe pa të dytë në historinë tonë si parti politike.
Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare, dhe pa asnjë diskutim i takon të jetë aty ku Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor…
Ne do të zgjedhim të ardhmen.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të zgjedhë të ardhmen.
Partia Demokratike e Shqipërisë do të zgjedhë të ardhmen.
Disa harrojnë, disa bëjnë sikur harrojnë, e të disa bërtasin që të tjerët të harrojnë, se kush jemi ne.
Ne jemi partia e idealeve demokratike të Lëvizjes studentore, rinore, intelektuale dhe popullore e dhjetorit 1990, që ktheu Shqipërinë me fytyrë nga Perendimi, që caktoi njëherë e përgjithmonë përkatësinë e vendit dhe kombit tonë në familjen e tonë të natyrshme europiane dhe euroatlantike. Kjo nuk ndryshon. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai. Më tej, Basha tha: “Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës.
Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori që lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron pronë private, me bashkëputorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij.
Kjo është kriza “Berisha”, që ka vegjetuar gjatë në trupin e PD-së në formën dhe përmbajtjen e kulturës të linçimit dhe terrorizimit të kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe, nga e cila ai nuk arriti të shkëputej kurrë. Kjo ndoshta mund të na jetë dukur e përshtatshme për disa kohë, madje edhe e volitshme atërherë kur batareja zbrazej drejt kundërshtarëve tanë, por kjo na ka armiqësuar për shumë gjatë me nje pjesë të madhe të popullsisë.
Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin.
Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë”, tha ai.
Basha tha se kjo krizë zbuloi gjithashtu se, “xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të”.
“E gjitha kjo nuk është gjë tjetër vecse një mendësi e së kaluarës, një sedentim I mendësisë puniste që nuk mund të mos e shoqëronin në startin e saj demokracinë tonë të re.
Sot, konflikti që Sali Berisha ka patur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe cdo anëtari dhe votuesi të saj.
Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë Shqiptare.
Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD.”, tha ai
“Ne, nga sot, heqim çdo paqartësi lidhur me aleancën me SHBA. Jo vetëm se ky është interesi ynë strategjik, por sepse ne e besojmë këtë gjë. Euroatlantizmi ynë ka lindur me PD dhe si i tillë ai nuk mund të vihet në asnjë votim, në asnjë referendum dhe në asnjë proces.
Ne duhet të ndahemi qartësisht nga kundërvenia dhe të koordinojmë me aleatët tanë të gjitha ato akte, ato reforma, ato projekte të cilat synojnë reformimin e shtetit shqiptar, shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri, duke mirëpritur, konfirmuar dhe iniciuar çdo iniciativë që shkon në favor të interesit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, vijoi ai.
Basha kërkoi ndjese demokratëve për dualizmin në PD dhe konfirmoi se nga e shtuna do të ketë v etem një kryetar, duke u ndalur edhe tek ajo pjesë që sot mbështet Berishën.
“Ne mund të humbasim një numër individësh, në një pakicë të papërfillshme, të cilët janë të brumosur, të indoktrinuar apo të lidhur me fije të ndryshme me interesat e së shkuarës, por ne do të fitojmë besimin e pjesës më të madhe të shoqërisë sonë, atë shumicë që beson si ne tek e ardhmja perëndimore e Shqipërisë.
Ne do të fitojmë qytetarin normal shqiptar, votuesin civil, i cili do të ndërtojë këtu të ardhmen e tij.
Partia Demokratike, unë personalisht, bashkë me ju kemi një mision të ri. Këtë mision mund ta realizojë vetëm me ju, duke hequr çdo pengesë, duke sfiduar cdo vështirësi. Ne duhet ti japim fund këtij tranzicioni të gjatë dhe rraskapitës.
Unë ju bëj një thirrje sot që të bashkojmë energjitë, forcat, ëndrrat, pasionet, kompetencën, kapitalet njerëzore dhe politike për t’i dhënë fund tranzicionit.
Dhe ky kapitull mund të përmbyllet nëpërmjet shkallmimit të trekëndëshit të Bermudës dhe regjimit Rama, politikanëve më jetëgjatë”
Më tej ai shtoi: “Kam qendruar i prerë në këtë periudhë, pa u zbrapsur edhe përballë individit me të cilin kam ndarë shumë vite bashkëpunimi. Sepse nuk bëhej fjalë për fatin e një njeriu, POR për fatin e Partisë Demokratike, e për pasojë të të ardhmes së Shqipërisë.
Luftova, dhe po luftojmë të gjthë bashkë, për normalitetin, që kjo parti të jetë një forcë politike që ngrihet mbi fuqinë e individëve që e përbëjnë, jo mbi fuqinë që individi që sundon një parti, që merr nga të tjerët, për të larësuar kultin e tij, deri në atë pikë sa të bëhet mbytëse për të ardhmen e saj.
Këtë normalitet kërkoj, dua të jem kryetari që punoj për t’i dhënë normalitetin Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.
Dua të jem politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit.
Dhe për të sjellë këtë normalitet, duhet ta paqtojmë Partinë Demokratike me shoqërinë, duke nisur nga shtresat që janë themelet e shtëpisë tonë, të përndjekurit dhe pronarët… “, tha Basha duke konfirmuar se ai do të lidhe një Aleancë Qytetare për Demokracinë, për një bashkëpunim më të ngushtë me shoqërinë.
“Platforma qytetare për demokracinë, që u pengua nga zhvillimet e pas 9 shtatorit, do të marrë javët dhe muajt në vijim dimensionin e saj të plotë, dhe sot do ta sanksionojmë në statut përmes Aleancë Qytetare për Demokracinë, për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë dhe në bashkëpunim me shoqërinë, për të cliruar ekonominë dhe për cuar përpara ndryshimet kushtetuese, duke nisur konsultimet me grupet e interesit, pasi në asnjë moment nuk mund të përsërisim gabimet e vitit 2008…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




