Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku në pjesën për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi mbështetjen e fuqishme të përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2020 dhe kontribuoi në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in. Nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Shqipëri në vitin 2020, thuhet në raport.
Megjithatë, ngjashëm me vitin e kaluar, raporti thekson se korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit mes agjencive qeveritare, bashkërendimi i pamjaftueshëm mes agjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet për zbatimin e ligjit dhe rendit në të gjitha nivelet.
Zbatimi i reformave në sektorin e drejtësisë vazhdon, duke filluar me vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion, paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, thuhet në raport.
Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri përfshin luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria dhe përpjekjet e simpatizantëve të ISIS-it për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë, si dhe aktiviteti i sponsorizuar nga Irani drejtuar kryesisht kundër grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK), pjesëtarët e të cilit janë të strehuar në Shqipëri.
Shqipëria, thuhet në raport, përndjek aktet terroriste, duke përfshirë financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e të sanksionuarve nga Kombet e Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit.
Raporti vëren bashkëpunimin e ngushtë të Njësisë së Policisë së shtetit Kundër Terrorizmit dhe përfshirjen e tij në operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm.
Në raport përmendet se më 27 tetor, Shqipëria riatdhesoi një grua shqiptare dhe katër fëmijë nga Siria, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për riatdhesimin e më shumë qytetarëve nga kampet siriane. Më 14 dhjetor, një i dyshuar u akuzua nga prokuroria e Durrësit për “nxitje të terrorizmit kundër hebrenjve”. Në një rast të veçantë në qershor, Gjykata Themelore e Tiranës nxori dënoi me tre vite heqje lirie një të akuzuar për të njëjtat vepra penale. Më 23 korrik, një agjent i dyshuar i sponsorizuar nga autoritetet iraniane, u shpall “i padëshirueshëm” nga qeveria e Shqipërisë dhe më pas u dëbua nga vendi.
Shqipëria është zotuar të rrisë sigurinë e saj kufitare dhe kontrollet për të ndaluar udhëtimin e terroristëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me mbështetjen e ekspertëve dhe programeve të Shteteve të Bashkuara, thekson raporti.
Në vitin 2020, Shqipëria filloi zbatimin e një regjimi më të rreptë të burgjeve për të dënuarit e rrezikshëm, përfshirë edhe për një të dënuar për rekrutim me qëllim terrorizmi, thuhet më tej në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




