Mund të jetë e ndërlikuar të dini se cilat ushqime mund të merrni në udhëtimet që zgjasin disa orë apo cilat ushqime duhet të shmangen. Nutricionistet Serena Poon dhe Kylie Sakaida kanë dhënë disa këshilla.
Pini shumë ujë
Ajri i avionit është i thatë dhe mungesa e lagështisë mund të shkaktojë shqetësim të panevojshëm.
Poon rekomandon të pini më shumë ujë se zakonisht deri në nisjen tuaj dhe të mundoheni të konsumoni ujë edhe gjatë udhëtimit.
Merrni me vete çaj xhenxhefili
Shumë njerëz e kanë problem udhëtimin për një kohë të gjatë për shkak se rruga e gjatë u shkakton të përziera dhe dispepsi. Çaji i xhenxhefilit mund të ndihmojë me ndjenjat e të përzierave dhe dispepsit të shkaktuara nga lëvizja e avionit.
“Thjesht merrni çaj xhenxhefili në çantë dhe kërkoni nga stjuardesa një filxhan ujë të nxehtë gjatë shërbimit të pijeve”, tha Poon.
Perimet e copëtuara janë një vakt i shkëlqyer në aeroplan
Perimet hidratuese si selino, kastravecat dhe specat e kuq janë ushqime të shkëlqyera që mund t’i hani gjatë udhëtimit.
“Ato janë gjithashtu plot me fibra dhe argëtuese për t’u ngrënë”, tha Poon. “Këto ushqime të pasura me lëndë ushqyese do ju ndihmojnë që të ndjeheni të ngopur për një kohë më të gjatë”, thotë Sakaida.
Arrat dhe farat do t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur pa fryrje
Arrat janë të pasura me proteina dhe antioksidantë. Për pak shumëllojshmëri, Poon sugjeron përzierjen e disa prej arrave dhe farave tuaja të preferuara për t’i marrë me vete në aeroplan.
“Më pëlqen të bëj një përzierje të lehtë sa herë që udhëtoj”, tha Poon. “Zakonisht, është një kombinim i arrave dhe bajameve me fara të ndryshme.
Sakaida rekomandon përdorimin e ushqimeve të mbushura me proteina gjatë gjithë udhëtimeve tuaja.
“Unë gjithmonë rekomandoj ushqime me një sasi të mjaftueshme të karbohidrateve dhe proteinave për t’ju mbajtur energjikë dhe të ngopur gjatë gjithë fluturimit”, tha ajo.
Sanduiçët e bërë në shtëpi janë një alternativë e shkëlqyeshme duke menduar edhe çmimet e produkteve që shiten në aeroport dhe avion.
Gjithashtu, shumica e produkteve janë me erëza dhe djathëra të ndryshëm të përzgjedhur paraprakisht, duke lënë pak hapësirë për çdo rregullim diete që mund t’u duhet të bëjnë individëve.
Në vend që të shpenzoni shumë për diçka që nuk e dëshironi vërtet, Poon rekomandon të bëni sanduiçin tuaj me përmbajtje të ulët natriumi dhe të mbushur me proteina në shtëpi.
“Kur bëni ushqim në shtëpi, ju e dini saktësisht se çfarë po hyn në trupin tuaj dhe keni kontrollin më të madh mbi ushqimin tuaj”, tha ajo.
Largohuni nga ushqimet me vaj kur udhëtoni
Patatet e skuqura janë një vakt i lehtë për t’u ngrënë kur nxitoni për në aeroport, por komoditeti ka një kosto. Sipas Poon, ushqimet e yndyrshme mund të sforcojnë sistemin tuaj të tretjes dhe të përkeqësojnë ndjenjat e të përzierave.
Ruani ushqimet pikante për më vonë
Ushqimet pikante, në përgjithësi, mund t’ju shqetësojnë stomakun dhe lëvizjet e avionit mund të intensifikojnë çdo ndjenjë acarimi. Edhe pse mund të jenë shumë të shijshme kur i shtohen pjatës suaj të preferuar, ato nuk përbëjnë ushqimin më të mirë për udhëtimet.
“Ushqimet pikante, alkooli dhe ushqimet me shumë aciditet mund të sjellin probleme në sistemin e tretjes, sidomos kur kalon disa orë ulur në një ndenjëse avioni”, tha Poon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



