Ngjarje

Kuvendi i thirrur nga Berisha, ambasada e SHBA-ve paralajmëron shtetasit amerikanë

Një ditë para Kuvendit të Partisë Demokratike të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar qytetarët e saj që jetojnë në Shqipëri, të kenë kujdes dhe të shmangin rrugët rreth stadiumit “Air Albania”.

Njoftimi i ambasadës është bërë përmes një mesazhi ‘alert’ në faqen zyrtare lidhur me Kuvendin e njoftuar nga Sali Berisha ditën e shtunë (nesër) në orën 11:00

“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit”, shkruan ambasada mes të tjerash në njoftimin e saj.

Më herët, lidhur me Kuvendin e Partisë Demokratike, Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se janë marrë masat për ruajtjen e rendit.

“Policia është gjithmonë në gatishmëri për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Synojmë dhe gjithmonë policia ka qenë e drejtuar drejt informacionit dhe inteligjencës. Bazuar në informacionet që do të kemi do të merren masa”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë