Një biznesmen 55 vjeç, Pilot Rroli, i cili njihej edhe si Rakip Rroli, është ekzekutuar mëngjesin e të premtes me armë zjarri rreth orës 08:45 në Sanxhak, Kurbin.
Mësohet se ai po udhëtonte me automjetin e tij, ku dyshohet e dy persona i kanë prerë rrugën dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa makina ka përfunduar në kanal. Policia ka rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.
Mësohet se biznesmeni Pilot Rroli, ka qenë i dënuar disa vite më parë për rrahje, ku ka vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe pas lirimit është marrë me biznes.
Në vitin 2011 ai është përfshirë në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër e kanë dhunuar me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë pas një sherri për motive banale. Ai kishte në pronësi një firmë për përpunimin e drurit në qytetin e Laçit.
Po ashtu, dy djemtë e tij, Emiljano dhe Sokol Rroli, janë personazhe të njohur në botën e krimit, pasi janë akuzuar për trafik droge në vitin 2017.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.