Ngjarje

Atentati në Laç, shpallen në kërkim autorët e dyshuar. Djali i viktimës aksidentohet duke shkuar në vendngjarje

Pak pas atentatit në Laç, policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes, ku u ekzekutua me breshëri plumbash biznesmeni Rakip Rroli, i njohur edhe me identitetin Pilot Rroli. Si autorë të dyshuar të vrasjes janë shpallur në kërkim shtetasi S.L., dhe djali i tij.

Dyshohet se shkak për vrasjen janë bërë konfliktet që autorët kanë pasur me djemtë e viktimës. Një prej këtyre të fundit dyshohet se ka dhunuar një nga shtetasit e shpallur në kërkim nga policia.

Dy djemtë e 55-vjeçarit, Emiljan dhe Sokol Rroli, janë pronarë të një pallati në zonën e Shëngjinit.

Pak pas ngjarjes së sotme, njëri prej tyre u aksidentua gjatë kohës kur ishte duke shkuar në vendin e vrasjes ku u vra babi i tij.

Mjeti që ai drejtonte humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë, ndërkohë që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Rakip Rroli dhe familja e tij janë persona të njohur në zonën e Laçit, dhe kanë disa biznese, përfshirë mjetet e transportit të rëndë, si dhe një pikë materialesh ndërtimi.

Emri i tij nuk është i panjohur as për policinë, pasi biznesmeni është vënë në pranga në vitin 2011, si autor i rrahjes me pasojë plagosjen e rëndë të një 22-vjeçari. Po ashtu djemtë e viktimës kanë qenë të skeduar nga policia në vitin 2017, për trafik droge.

Në zonën ku ka ndodhur vrasja nuk ka kamera sigurie gjë që e vështirëson akoma më shumë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në dalje të Sanxhakut ku viktima po lëvizte në drejtim të Mamurrasit. Mësohet se kjo ishte një rrugë që ai e përshkonte çdo ditë. Kjo do të thotë se ai ishte vëzhguar nga autorët të cilët i kanë zënë pritë në këmbë duke zbrazur kallashnikovin. Fillimisht Roli ka tentuar të largohet, por autorët kanë qëlluar edhe në pjesën anësore të automjetit derisa ai ka humbur kontrollin.

Pasi ka ecur për disa metra ai është përplasur me një automjet fillimisht, dhe më pas ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në anë të rrugës.  Në momentin e të shtënave në vendin ku ka ndodhur atentati ka humbur kontrollin edhe një automjet i tretë që ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë