Presidenca nënkuptoi se do ta sfidojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe vetë Presidenti Ilir Meta ka sinjalizuar se kundërshtimi i këtij vendimi mund të bëhet në gjykatat ndërkombëtare, me gjasë atë të Strasburgut.
Gazeta Si mëson se prej shpalljes së vendimit të moskompetencës nga ana e Kushtetueses, Presidenca është vënë në lëvizje për të identifikuar, sipas saj, nenet e Konventave Ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, që pretendon se janë shkelur me procesin zgjedhor të dy viteve më parë.
Më pas, në varësi të vendimmarrjes së Presidentit Ilir Meta, dosja me këto pretendime mund t’i dorëzohet Strasburgut, ashtu siç vetë Meta ka deklaruar në më shumë se një rast në intervistat televizive se cili do të jetë hapi që do të ndjekë nëse Gjykata Kushtetuese “legjitimon” 30 qershorin.
Sipas Presidencës, Gjykata Kushtetuese nuk ka legjitimuar këtë proces, por ka dalë me një vendim për të mos marrë vendim përmes shpalljes së moskompetencës. Presidenca thotë se arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese është identik me arsyetimin e shqiptuar nga përfaqësuesit e Qeverisë, si në Komisionin e Venecias, ashtu edhe gjatë seancave dëgjimore në Kushtetuese.
Megjithatë, këto qëndrime nga Presidenca duket se nuk shqetësojnë socialistët. Kreu i grupit parlamentar të tyre, Taulant Balla tha para mediave se çdo përpjekje për të kundërshtuar vendimin e Kushtetueses është e kotë dhe se 30 qershorit i është vënë kapaku edhe si një mësim i mirë për opozitën.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm zbatohet. Çdo përpjekje është e kotë. Kjo çështje ka marrë fund këtu. Ky vendim është shumë i rëndësishëm pasi lidhet me kontestin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pati një përpjekje për t’u hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar. Çdo palë mori mësimet e veta. Demokracia vetë fitoi. E drejta e popullit për të vendosur është ajo që fitoi me 30 qershor”, tha Balla.
Pavarësisht këtij qëndrimi të socialistëve, Presidenti Meta po merr ende kohë, duke mos shpallur datën e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashkitë pa kryetarë. Sa më shumë vonon dekreti për këto zgjedhje, aq më i fortë bëhet perceptimi se Presidenca do ta sfidojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



