Presidenca nuk e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që shpalli moskompetencë për vendimmarrje për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe për rrjedhojë nuk pritet që të ketë një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë pa kryetarë.
Presidenti Ilir Meta nuk e përçoi personalisht këtë vendim, por e tha atë përmes një konference për shtyp të dy këshilltarëve të tij, të këshilltarit për çështjet ligjore, Bledar Dervishaj dhe të këshilltarit për marrëdhëniet me publikun, Tedi Blushi.
Gjatë leximit të qëndrimit ndaj vendimit të Kushtetueses, Bledar Dervishaj tha se Gjykata Kushtetuese shfrytëzoi Venecian për ta pasur si justifikim për të shpallur moskompetencë për këtë çështje. Presidenca akuzon se Kushtetuesja nuk i ka adresuar Venecias pyetjen e adresuar nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, që sipas saj ishte edhe thelbi i çështjes.
“Pyetja a janë dekretet e Presidentit akte kushtetuese të përgjithshme, apo akte nënligjore individuale ishte pyetja thelbësore në këtë proces”, tha Dervishaj.
Të gjitha këto qëndrime të Kushtetueses, sipas qëndrimit të Presidentit çojnë në përfundimin se Presidenca e kishte marrë vendimin që më 23 qershor për të shpallur moskompetencën dhe Venecias iu drejtua vetëm për të gjetur justifikimin përballë qytetarëve.
Presidenca shkon edhe më tej duke akuzuar se arsyetimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese është ngjashëm me atë të dhënë nga përfaqësuesi i Qeverisë në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Ky vendim, sipas Presidentit Ilir Meta është shkelje e rëndë e kryer ng ana e Gjykatës Kushtetuese, që ka krijuar një precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri.
“Gjykata Kushtetuese arsyeton njësoj si Qeveria në lidhje me zgjedhjet e 2019. Gjendja më e rëndë e keqfunksionimit të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese nuk përmbushi rolin, misionin dhe përgjegjësinë që Kushtetuta i ka dhënë. Gjykata Kushtetuese vendosi një precedent të rrezikshëm për demokracinë. I hapi rrugën imponimit të mazhorancës së radhës, që të zhvillojë zgjedhje kur të dojë ajo, apo të mos i zhvillojë fare”, thotë Presidenca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


