Personat para-tetraplegjikë, pas protestës ditën e djeshme para kryeministrisë, këtë të enjte protestuan përpara godinës së Parlamentit ku deputetët ishin mbledhur në seancë plenare.
Ata kanë një sërë kërkesash për Ministrinë e Financave dhe atë të Shëndetësisë.
Ata i takoi Kryeministri Edi Rama i cili u tha se do të niset në një vizitë në SHBA, ndaj nuk do mund ti presë dot mirëpo do të takohen me ministren Delina Ibrahimaj. Përfaqësuesi i tetraplegjikëve bëri të ditur se i kanë paraqitur ministres kërkesat e tyre prej 7 pikash.
Pas takimit me ministren Ibrahimaj, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë, Bajram Tirana ka zbardhur detaje nga takimi.
Ai tha se të premten që vjen pritet që të mbahet edhe takimi, ku do të diskutohen kërkesat e kësaj kategorie.
“E lamë që të takohemi javën tjetër, ditën e premte, pasi dy ministritë të bisedojnë njëra me tjetrën mbi pikat ekonomike që kemi kërkuar. Nuk pretendojmë të realizohen 7 pikat, por të paktën 2 pika. Dita e premte presim që të jetë ditë e bukur për ne. Do ta diskutojmë prapë me ministren Manastirliu dhe atë të Financave dhe jam optimist që do shprehen në favorin tonë. Nuk pres që të realizohen të 7 pikat me një të rënë të lapsit, por shpresojmë që të realizohen. Ne kemi lindur për të jetuar, kemi të drejtë për një pavarësi ekonomike. Pika e parë është rikthimi i energjisë elektrike.
E kemi pasur të fituar me grevë urie, ku 80% e paguante shteti dhe 20% e paguante ligji. Na e hoqën në parlament. Kryeministri na ka premtuar që sapo të vinin në pushtet, do të na rikthenin këtë pikë, në 100 ditëshin e parë të qeverisjes. Shpresoj që këto kërkesa të kenë rënë në vendin e duhur. Nuk duam lekë, duam 80 litra karburant që të lëvizim. Kjo është e vetmja mundësi që të lëvizim, jemi të privuar që të njohim Shqipërinë, njerëzit tanë, që të ecim. Ne s’na intereson, duam 80 litra karburant. Duhet të na jepet një godinë në Durrës që të rehabilitohemi, pasi këmbët po na deformohet. Duam që të shihet pozicioni i kujdestarit. Duam rimbursim ilaçesh. Shpresoj që dita e premte të jetë e lumtur për ne”, tha Tirana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.










