Në ditën ndërkombëtare të HIV/AIDS, shoqata e pacientëve që jetojnë me HIV kërkon që të ndryshojë strategjia për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.
Kryetarja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV, Olimbi Hoxhaj në një prononcim për gazetën “SI” tha se nevojë urgjente është ndryshimi i protokolleve të trajtimit të sëmundjes së HIV/AIDS, konkretisht për rastet në stadin e fundit.
Sipas saj, pas shumë vitesh kur sëmundja e shekullit tashmë nga të rejat shkencore është shndërruar në sëmundje kronike, nevojiten protokolle të reja të terapisë që marrin pacientët kur identifikohen nga prekja e virusit të HIV.
Kjo sipas saj do të shpëtonte nga vdekja shumë prej të prekurve që identifikohen në stadet e avancuara duke rrezikuar dhe jetën.
Hoxha tha se gjatë pandemisë u konstatua më shumë ky handikap duke sjellë për pasojë dhe humbje jete.
“Ka qenë historia e një të riu 29 vjeçar nga Tirana i cili u prek në muajin prill të vitit të kaluar nga Sarcoma Kaposi ose kanceri i lëkurës, i njohur tek kjo kategori pacientësh, e pas kësaj diagnoze rezultoi se ishte i prekur me HIV në stadin e fundit. Familja kërkoi që ta shtronte në reanimacionin e spitalit infektiv por në mungesë të një terapie të tillë që aplikohet sot rëndom në spitalet evropiane, djali u kthye në shtëpi pa mundur të marrë mjekimin e duhur. Ai humbi jetën pak muaj më vonë”. tregon kryetarja e shoqatës së pacientëve me HIV/AIDS Olimbi Hoxha.
Sipas saj, aplikimi i terapisë së shumfishtë multimedukamentoze do t’i shpëtonte jetën të riut në stadin terminal por kjo vijon të jetë e pamundur.
HIV/AIDS prezent tek shumica e personave transgjinor
Megjithëse Instituti i Shëndetit Publik zbaton prej vitesh programin kombëtar për HIV/AIDS, në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj kësaj sëmundje, raportohen 91 raste të reja ndërsa numri zyrtar i të prekurve është 1500.
Sipas kryetares së shoqatës së pacientëve që jetojnë me HIV, problem mbeten personat transgjinor të cilët gjatë vitit të kaluar (ata që iu nënshtruan testit) rezultuan pothuajse të gjithë të infektuar me HIV.
Hoxha tha se gjatë një testimi që iu bë punonjësve të seksit, persona transgjinor nga shoqata e LGBTQ rezultuan të gjithë të infektuar dhe iu nënshtruan terapisë me antiretroviralë në QSUT.
“Megjithëse një vit me kufizime të lëvizjes, kjo kategori rezultoi e infektuar pas testimeve që iu bënë në klinikat private nga vetë shoqata pasi spitali infektiv gjatë vitit 2020 ishte kthyer në spital Covid.
Është shqetësuese infektimi 100 % i tyre ç’ka i bën burim infeksioni pasi ata vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre si punonjës seksi”, tha Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




