Kur anija X-Press Pearl mori flakë dhe u mbyt në Oqeanin Indian në maj, Sri Lanka ishte e tmerruar se 350 tonë naftë të anijes do të derdheshin në oqean, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore për shkëmbinjtë koralorë të vendit dhe industrinë e peshkimit.
E klasifikuar nga OKB-ja si “katastrofa më e keqe detare e Sri Lankës”, ndikimi më i madh nuk u shkaktua nga karburanti e as kimikatet e rrezikshme në bord, të cilat përfshinin acid nitrik, sodë kaustike dhe metanol. Dëmi më “i rëndësishëm”, sipas OKB-së, erdhi nga derdhja e 87 kontejnerëve të mbushur me mbetje plastike të madhësisë së thjerrëzës që quhen Nurdles.
Që nga katastrofa, ato janë bërë miliarda dhe janë përhapur kudo në vijën bregdetare të vendit vendit dhe pritet të zbresin në tokën përgjatë brigjeve të Oqeanit Indian nga Indonezia dhe Malajzia në Somali. Në disa vende ato janë deri në 2 metra thellësi. Ato janë gjetur në trupat e delfinëve të ngordhur dhe në gojën e peshqve. Rreth 1680 ton Nurdles u lëshuan në oqean dhe kjo është derdhja më e madhe plastike në histori, sipas raportit të OKB-së.
Nurdles janë në formë rruazash të vogla dhe janë në çdo produkt plastik që ne përdorim.

Ato mund të bëhen prej polietileni, polipropileni, polistireni, klorur polivinil dhe plastika të tjera. Të lëshuara në mjedis nga bimët plastike ose kur dërgohen nëpër botë si lëndë e parë në fabrika, ato fundosen ose notojnë, në varësi të densitetit të tyre dhe nëse janë në ujë të ëmbël ose të kripur.
Ato shpesh ngatërrohen si ushqim nga zogjtë e detit, peshqit dhe kafshët e tjera. Në mjedis, ato fragmentohen në nanogrimca, rreziqet e të cilave janë më komplekse. Ata janë burimi i dytë më i madh i mikrondotësve në oqean, për nga pesha, pas pluhurit të gomave. Çdo vit, rreth 230,000 tonë përfundojnë në oqeane.
“Vetë ato janë një përzierje kimikatesh, janë lëndë djegëse fosile”, thotë Tom Gammage, nga Agjencia e Hetimit të Mjedisit (EIA), një Organizatë ndërkombëtare.
Ai thotë se janë shumë të rrezikshme e megjithatë, ndryshe nga substancat si vajguri, nafta dhe benzina, nuk konsiderohen të rrezikshme sipas kodit të mallrave të rrezikshme të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) për trajtimin dhe ruajtjen e sigurt. Kjo është pavarësisht nga kërcënimi ndaj mjedisit nga Nurdles.
Tani ambientalistët po bashkojnë forcat me qeverinë e Sri Lankës në një përpjekje për ta kthyer katastrofën e X-Press Pearl në një katalizator për ndryshim.
Kur komiteti i mbrojtjes së mjedisit detar të IMO-së u mblodh në Londër këtë javë, thirrja e Sri Lankës për klasifikimin e nurdles si mallra të rrezikshme tërhoqi mbështetjen e publikut, me më shumë se 50,000 njerëz që nënshkruan një peticion.
“Duhet të ndalohet që të ndodhë përsëri e njëjta gjë si në Sri Lanka”, thotë Gammage.
Vitin e kaluar ka pasur të paktën dy derdhje të Nurdles. Në Detin e Veriut u derdhën 10 ton Nordles, të cilët u shpërndanë në brigjet e Danimarkës, Suedisë dhe Norvegjisë. Në Afrikën e Jugut, një derdhje në gusht 2020 erdhi pas një aksidenti në 2018, i cili preku deri në 2,000 km të vijës bregdetare. Vetëm 23% e 49 tonëve që u derdhën u rikuperuan.
Ndërgjegjësimi po rritet për kërcënimin e madh që paraqesin mbetjet e vogla. Vitin e kaluar dy protestues mjedisorë në Amerikë u akuzuan në bazë të një ligji të shtetit të Luizianës për “terrorizimin” e një lobisti të industrisë së plastikës kur lanë një kuti me nurdles jashtë shtëpisë së tij si pjesë e një fushate për të ndaluar fabrikën Formosa Plastics në Tajvan të hapte një fabrikë në Luiziana.
“Incidenti i X-Press Pearl dhe derdhja e produkteve kimike dhe mbetjeve plastike në Sri Lanka shkaktoi dëme të pallogaritshme në jetën detare dhe shkatërroi jetesën lokale”, thotë Hemantha Withanage, drejtoreshë e Qendrës për Drejtësi Mjedisore në Sri Lanka. Konsumi i peshkut, burimi kryesor i proteinave për 40% të Sri Lankës, është ulur në mënyrë drastike.
Klasifikimi i këtyre mbetjeve plastike si të rrezikshme siç është rasti për eksplozivët dhe substanca të tjera të dëmshme për mjedisin do t’i bënte ato subjekt i kushteve strikte për transport.
“Ato duhet të ruhen nën kuvertë, në paketim më të fortë dhe me etiketim më të kujdesshëm”, thotë Tanya Cox, specialiste e plastikës detare.

“Ato duhet t’i nënshtrohen gjithashtu protokolleve të reagimit ndaj katastrofave, të cilat, nëse zbatohen në rast emergjence, mund të parandalojnë ndikimet më të këqija mjedisore”.
“Ndërkohë, pastrimi vazhdon në Sri Lanka. Disa nga 470 breshkat, 46 delfinët dhe tetë balenat që dolën në breg kanë pasur këto mbetje në trupin e tyre”, thotë Withanage.
Gjithashtu, 20 mijë familje që jetonin nga peshkimi, sot nuk kanë të ardhura, jo nga kjo të paktën.
“Peshkatarët thonë se kur zhyten në ujë, këto mbetje u futen në vesh. Ka prekur turizmin, gjithçka”, thotë Cox.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



