Qeveria shqiptare përmes ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro u zotua në Samitin e Klimës se Shqipëria do të ulë emetimet e CO2 me 20.9% deri më 2030 por në mos një premtim i vështirë për t’u mbajtur, është një mision i vështirë.
Endri Haxhiraj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikën e Mjedisit shpjegon për Gazetasi.al se për uljen e CO2, Shqipëria duhet të ndërhyjë tek transporti, mbetjet dhe tek bujqësia. Zotimet mbështeten në masën më të madhe në supozimin që pyjet tona do të përthithin shkarkimet e karbonit, kur në fakt, në vitet e fundit, “pyjet janë kthyer në shkarkues të karbonit si pasojë e zjarreve dhe prerjeve të vazhdueshme”.

Që Shqipëria të arrijë këtë zotim, Haxhiraj thotë se duhet të forcohen masat kundra zjarreve duke dënuar zjarrvënësit, duke ndaluar ndezjet e zjarreve në natyrë, e duke blerë mjete e trajnuar personelin për fikjen e zjarreve. Nga ana tjetër, “duhet të bëjë rehabilitim të zonave të djegura, me anë të mbjelljeve të pemëve me fare, dhe duke ndaluar kullotjen e dhive e dhenve, të cilat hanë fidanët e sapo mbirë apo të sapo mbjellë”.
Gjithashtu, Haxhiraj shton se duhet ndaluar prerja e pyjeve dhe bimësisë, që megjithëse me moratoriumin në letër, “prerja vazhdon e pandërprerë dhe e pa shqetësuar, me leje e pa leje. Nëpër male dëgjon vetëm motosharra dhe sheh vetëm kamionë që bartin pemët e prera”.
Thënë kjo, nëse nuk merr këto masa për vitet e ardhshme, Shqipëria e ka të vështirë të arrijë zotimet. Duhet të mbajmë parasysh se Shqipëria është tashmë nënshkruese edhe e paktit të COP26 kundra shpyllëzimit dhe degradimit të tokës.
Fusha e dytë, është dekarbonizimi, që do të thotë shtimi i mjeteve elektrike në vend, dhe i hekurudhave dhe trenave elektrikë.
“Këto janë shumë të arritshme, por deri tani veprimi nga qeveria ka qenë pothuajse zero, përveç heqjes së taksës së kontrollit teknik për makinat elektrike dhe disa lehtësi nga bashkia Tiranë për taksitë elektrike”.
Nëse organet kompetente duan që të nxisin përdorimin e makinave elektrike, Haxhiraj thotë se duhet të stimulohet infrastruktura si për shembull, vendosjen e karikuesve në të gjitha qytetet e Shqipërisë, “pasi tani është e pamundur të udhëtosh me makinë elektrike në Sarandë, pasi nuk ka karikues atje”.
“Ndërsa për hekurudhat, fondi dhuratë nga BE-ja për hekurudhën Tiranë-Durrës është dhënë që në 2016-ën, e punimet duhej të kishin përfunduar në 2021-shin, por tani jemi në 2021 dhe punimet ende nuk kanë filluar. Prandaj, nëse nuk ndryshohet zvarritja që u bëhet hekurudhave, nuk do të arrihet dekarbonizimi i transportit”, thotë Haxhiraj i cili shton se pika e tretë është menaxhimi i mbetjeve të cilat tani lëshojnë gaz metan sepse hidhen në një gropë ku kalbëzohen në mënyrë anaerobike, duke shkaktuar metan që herë-herë merr flakë.
Sipas Haxhiraj, mbetjet organike nuk duhet të hidhen në vend depozitime, por duhet të kompostohen, duke prodhuar pleh organik, i cili shërben për një bujqësi të shëndetshme dhe nga ana tjetër reduktohen gazrat serë të çliruara.
Së fundmi, Haxhiraj thotë se edhe bindja se Shqipëria përdor energji të rinovueshme (hidroenergjitike) është e paqëndrueshme.
“Vitet e fundit vihet re se varësia nga importi është në rritje gjatë stinëve të ngrohta për shkak të pamjaftueshmërisë së ujërave në hidrocentralet kryesore” kështu që në momentin që ne importojmë energji nga vende që e sigurojnë atë nëpërmjet termocentraleve që janë ndër çliruesit e mëdhenj të CO2, atëherë “edhe ne po kontribuojmë indirekt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



