Politike

Zgjedhjet e pjesshme vendore “pengohen” nga Strasburgu

Partia Socialiste është gati për zgjedhje të pjesshme vendore në gjashtë bashkitë që janë aktualisht pa kryetarë. Hapat deri në këto zgjedhje është publikimi i vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas dekreti i Presidentit Ilir Meta për mbajtjen e tyre.

Por, kryesocialisti Edi Rama nuk përjashton “surprizat” nga Presidenca.

“Presidenti e di mirë detyrën e tij, pavarësisht se ndonjëherë bën sikur nuk e di”, tha kryesocialisti në përfundim të një takimi me koordinatorët e partisë në rrethe.

Rama nuk e shtjelloi më tej këtë deklaratë, por ajo dukshëm mund t’u referohet deklaratave të mëhershme të Presidentit Meta, që në një intervistë të fundit televizive sinjalizoi se mund t’i drejtohet Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që njohu zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

“Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse sigurisht që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë”, deklaroi Presidenti Meta.

Kësaj ideje i mëshoi edhe avokati Jordan Daci, që mbrojti në Kushtetuese padinë e dorëzuar nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë. Daci e cilësoi opinionin e Venecias si kontradiktor/

“Sepse opinioni na thotë që nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por nuk na thotë se kush e ka kompetencën për të shqyrtuar pretendimet për shkeljen e një të drejte kushtetuese? Komisioni i Venecias ka dështuar të japë një opinion të saktë. Si mund të shkojmë ne në Strasburg nëse nuk kalojmë Gjykatën Kushtetuese. Bindja Demokratike hyri në zgjedhje fiktivisht, u regjistrua në KQZ pa u regjistruar në Gjykatë si subjekt politik. Gjykata Kushtetuese ta injorojë këtë opinion të Komisionit të Venecias”, tha ai.

Nëse Presidenca do të zgjedhë që ta vazhdojë betejën ligjore për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, atëherë gjashtë bashkitë pa kryetarë të zgjedhur, mes të cilave Shkodra, Durrësi e Lushnja mund të qëndrojnë edhe për disa muaj të tjerë me kryetarë të komanduar.

Kjo, sepse Strasburgu do të kërkojë kohë që të njihet me çështjen dhe në rast se do të vendosë që ta pranojë atë, atëherë vendimi mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare mund të shkojë përtej mandatit presidencial të Ilir Metës, që përmbyllet më 22 korrik të vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë