Keshilla

Vrapimi në mot të ftohtë ka disa “kleçka”

Për disa njerëz, vrapimi është kthyer në një “detyrë” dhe rutinë, që bëhet pak më e vështirë gjatë dimrit.

Vrapi në dimër është ndryshe nga vrapi në temperatura normale. Në dimër është më errët në mëngjes, është më ftohtë, ndërkohë që ky lloj aktiviteti fizik mund të ndikojë për keq në trupin e disa njerëzve. Ka disa gjëra që mund të bëhen për të përballuar siç duhet vrapin në dimër.

Vishuni me shtresa

Çelësi për një vrap pa probleme në dimër është e veshura me shtresa, veçanërisht për vrapuesit e rinj (ose ata që po vrapojnë për herë të parë në dimër). Mund të keni nxehtë pas pak minutash? Thjesht hiqni një bluzë.

Sally Loeffler, trajnere personale, rekomandon një ‘sistem me tre shtresa’.

Bluza e parë duhet të jetë prej fijesh sintetike, leshi ose një përzierje leshi sintetik/merino. Thjesht shmangni pambukun, veçanërisht pranë lëkurës tuaj.

“Një rrobë pambuku do të jetë e lagësht dhe rëndon pasi djersiteni”, thotë Loeffler.

Shtresa e dytë duhet të jetë diçka me mëngë të gjata që mban nxehtësinë pranë trupit tuaj, dhe shtresa e tretë është një “guaskë” që ju mbron nga era, shiu ose bora, nëse është e nevojshme.

Meteorologia Cecily Tynan thotë se duhet marrë parasysh era dhe lagështia kur planifikoni se çfarë të vishni për vrap. Ajo rekomandon gjithashtu të visheni 10 deri në 20 gradë më ngrohtë se sa jashtë.

Ju gjithashtu mund të bëni një shëtitje fillimisht dhe të mendoni se si do të ndiheni pas 10 minutash vrapimi në ato kushte.

Mos harroni aksesorët

Vrapimi në dimër është diçka më shumë sesa thjesht të mbulosh trupin. Koka, veshët apo duart gjithashtu janë të rëndësishme dhe duhen mbuluar kur jashtë janë temperaturat e ulëta.

Edhe lloji i atleteve ka rëndësi pasi dimri sjell edhe ngrica.

Ndoshta koha e drekës mund të jetë më e mirë për vrapim

Nëse ka ditë që nuk mund të dilni në mëngjes për të vrapuar, edhe vrapi në drekë është një ide e mirë.

Kjo kohë është një shpëtim edhe sepse mëngjesi mund të jetë shumë i ftohtë dhe i errët, njësoj si darka.

Përgatisni trupin

Një ditë e ftohtë mund të jetë fatale, veçanërisht nëse dilni menjëherë nga shtrati për të vrapuar. Fiziologia Heather A. Milton rekomandon disa ushtrime të thjeshta në shtëpi para se të dilni për vrap. “Ushtrimet në shtëpi përgatisin zemrën për vrap në të ftohtë”, thotë ajo.

Nëse jeni duke vrapuar në mjedise urbane ose periferike mbi beton ose asfalt, ato sipërfaqe do të jenë më të vështira dhe ndoshta të ngrira në dimër. Sidomos nëse e keni kthyer tashmë vrapin në një rutinë të përditshme, mund të jetë një tronditje për trupin. Milton thotë që t’i jepni trupit tuaj kohë për t’u përshtatur sepse po krijoni forcë, ashtu siç do të bënit me një rutinë të re të ngritjes së peshave. Kjo mund të nënkuptojë marrjen e një dite pushimi pas një vrapimi të gjatë në beton të ngrirë. “Duhet të ndihmoni strukturat në trupin tuaj të rriten mjaftueshëm të forta për t’i bërë ballë asaj force shtesë”, thotë ajo.

Mundohuni të qëndroni të motivuar

Të kesh një partner vrapi mund të ndihmojë shumë tani në dimër.

Nëse bëni vrap me dikë tjetër, ka më shumë gjasa të mos shmangni ditët e ftohta të dimrit për të vrapuar. Një partner mund të jetë “motiv për ta kaluar humorin e keq në dimër”. Nuk ka pse të jetë fizikisht me ju. Njerëzit ndjehen mirë edhe sikur një mik e nis vrapin në një orë me të, në një vend tjetër.

Gjithashtu mund të vendosni një objektiv specifik për atë që dëshironi të arrini duke vrapuar jashtë. Dëshironi të merrni një gjysmë ore ose një orë ajër të pastër atë ditë? Apo dëshironi të arrini të vraponi në një distancë të caktuar?

Tynan thotë se ajo gjithashtu është gjithnjë e përqendruar në atë që vjen pas vrapimit të dimrit: “Vrapi në dimër është një stërvitje shumë e mirë për vrapin e pranverës apo verës. Vrapi i dimrit për vrapin e pranverës është njësoj sikur të humbasësh 10 kilogramë pa u përpjekur fare”.

Burimi: New York Times. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë