Trupat e 4 turistëve rusë të gjetur rreth dy javë më parë të vdekur në Qerret të Kavajës, janë nisur këtë të premte drejt Rusisë me një avion linje nga Tirana.
Lajmi bëhet i ditur nga ambasada ruse në Tiranë, e cila thekson se trupat e pajetë, sipas legjislacionit rus, do t’i nënshtrohen një ekspertize mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Nga ana tjetër, ambasada ruse, “shpreson në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”.
Deri tani, hetimet e palës shqiptare janë të paqarta për vdekjen e 4 rusëve, të cilët u gjetën të vdekur në dhomën e saunës së hotelit ku ishin akomoduar.
Fillimisht u dyshua nga një asfiksi nga uji i klorit në pishinë, por Prokuroria e Kavajës ngriti një akuzë, ndoshta të nxituar, për vrasje.
Më pas, grupi i hetimit, duke këmbëngulur te dyshimi i vdekjes për shkak të asfiksisë, ka kërkuar edhe një herë marrjen e analizave të ujit të pishinës për të cilat do të pritet një përgjigje nga laboratori i ISHP-së.
Ngjarja është mbështjellë nga misteri, sepse turistët rusë kanë mbërritur në hotelin shqiptar mbrëmjen që u gjetën të vdekur, nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, ku kishin qëndruar disa orë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.