Politike

Ambasadorja e SHBA, Kim: Të zgjatet afati i vettingut, Reforma Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje që Parlamenti të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e anëtarëve të KPK dhe KPA.

Pas një takimi që zhvilloi me kreun e OSBE-së në Tiranë, Vicenco Del Monako, ambasadorja amerikane Yuri Kim, tha Kuvendi duhet të miratojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerit Publik.

“U takova sot me ambasadorin e OSBE-së Del Monako për të diskutuar një sërë çështjesh. Ne jemi dakord që në përputhje me rekomandimin e IMO-së, Parlamenti duhet të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e Vettingut. Gjithashtu pajtohemi që autoritetet dhe palët duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet”.

Zgjatjen e Vettingut e ka kërkuar edhe Partia Socialiste, e cila ka theksuar se kjo është e domosdoshme për të vijuar më tej procesi i kontrollit të figurës për pjesën e mbetur të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por Partia Demokratike ka hezituar deri më tani të japë pëlqimin e saj për këtë propozim, duke bërë të ditur se më parë duhet bërë një analizë e plotë për punën e bërë deri më tani nga anëtarët e komisioneve të Vettingut.

Më 15 tetor, Partia Socialiste ndërmori hapin konkret për zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut. PS propozon shtyrjen me 2 vite e gjysmë afati të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa për këtë, publikisht kanë kërkuar edhe mbështetjen e PD-së, megjithatë nuk ka ende një përgjigje. Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe komisionerëve publik përfundon në qershor të vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë