Art dhe Kulture

Rozi Kostani hap sezonin artistik në Kosovë me “Aroma e Hënës”

Problematikat që shpalosen në dramën “Aroma e hënës” të akademikut kosovar Mehmet Kraja, kanë ngacmuar imagjinatën regjisoriale të Rozi Kostani. “Çfarë është për ty liria?”, një nga pyetjet më esenciale që vepra ngre, është një ndër pyetjet që së fundi, regjisorja Rozi Kostani orvatet ta zbërthejë nëpërmjet vënies skenike.
Ajo është e njohur me prurjet aktoriale të Prishtinës, por është hera e parë që bashkëpunon me teatrin kosovar si institucion.
“Është hera e parë që bashkëpunoj me teatrin si institucion, ndërsa me projekte të tjera me aktorë kosovarë praktikisht kam bërë, por në Tiranë. Nga ana institucionale është hera e parë që po punoj me Teatrin Kombëtar, por nuk është se nuk jam e njohur me prurjet aktoriale të Prishtinës”, shprehet regjisorja Rozi Kostani për Gazetën “Si”.

Regjisorja Rozi Kostani me aktorët në Kosovë


Lidhur me këtë eksperiencë me Teatrin e Kosovës, Kostani rrëfen për Gazetën Si se si nisi bashkëpunimi.
“M’u propozua ky tekst ta lexoja edhe për të dhënë një koncept regjisorial mbi të, pra çfarë provokimesh skenike më sillte kjo vepër. Nisa ta lexoj si tekst, pasi në Teatrin e Prishtinës zgjidhen tekstet njëherë, pastaj regjisorët”.
Tezat që ngre kjo vepër janë lufta dhe liria, teza të cilat sipas regjisores duhen çuar më tej nëpërmjet elementit aktorial dhe regjisorial, një mënyrë kjo për të plotësuar edhe misionin e teatrit.
“Kjo vepër është një analizë e gjithë periudhës së hershme. Ngre disa pikëpyetje dhe disa teza mbi luftën, paqen, kjo ishte shumë intriguese për mua për ta parë në rrafshin skenik, duke i qëndruar besnike teatrit të fjalës dhe për ta pasuruar. Këto teza duhen çuar më tej nëpërmjet elementit aktorial dhe regjisorial, të plotësojmë misionin e teatrit”.

Triologjia “Hëna prej letre”, pjesë e së cilës është edhe “Aroma e hënës”


Ndonëse përzgjedhja e kastit ka qenë e vështirë, sipas regjisores procesi i provave po shkon mirë.
“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta. Aktorët i përzgjodha nga aktorët rezidentë të teatrit të Prishtinës, pra bëra një audicion dhe përzgjodha ato aktorë që janë më afër konceptit tim regjisorial. Puna po vijon shumë mirë, ata çdo ditë e më shumë po shfaqin cilësitë e tyre aktoreske. Të them të drejtën në fillim kisha se mos nuk kuptoheshim sepse ishim të dy shkollave të ndryshme, por jo ne po gjejmë një rrugë shumë të mirë për ta çuar këtë bashkëpunim deri në finalizim”.
Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ ku publiku konsiderohet si një medium, i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.
“Shfaqja do të jetë interferuese, dhe do pulsojë me publikun, sigurisht që në planin e parë do jetë fjala. Fjala do të vijë me peshën e saj, me forcën e saj të artikulimit të problematikave. Ndërsa mediumet për ta përligjur do jenë elementë surrealë dhe realë dhe kjo përbën dhe shprehinë teatrale”, vijon më tej Kostani.
Problematikat që kjo vepër shpalos sipas regjisores na përfshijnë të gjithëve, por për shqiptarët janë më të theksuara.
“Problematika që ngre është se pas një lufte vjen paqja dhe kjo paqe prapë është e dyshimtë, ose kjo liri është e dyshimtë. Ne kemi luftuar për një liri, por liria që vjen nuk i përmbush pritshmëritë. Kjo ndodh tek të gjitha vendet, por liria tek ne, te populli shqiptar, p.sh në dy luftërat e mëdha nëse do ta quaj njëra fizike, për shporrjen e okupatorit gjerman dhe italian, luftën e fituam por me lirinë u abuzua dhe patëm, një eksperiencë të keqe me komunizmin. Një element tjetër është se vjen demokracia, por prapë kemi të bëjmë me një liri të dyshimtë dhe jo përmbushëse, jo e përligjur, kjo është vepër që i flet tri kohëve, luftës, pas luftës dhe si po ndërtohet e ardhmja”.
Shfaqja do ta ketë premierën në fund të tetorit.
“Unë pritshmëritë i kam shumë të larta për trupën, për vete dhe për çdo element tjetër skenik”, vijon Kostani.
Duke e cilësuar si një shfaqje që ka vërtet histori, ka fakte, një shfaqje që prek të gjithë politikën dhe interpretimin e saj ndër vite, Kostani sjell edhe një paralelizëm me një shprehje të Napoleonit; “Një vendi për ta kuptuar se çfarë vendi është shikoji teatrin, pra shko shiko historinë e tij”…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë