“Oh ato ditë të bukura” është premiera e re në Teatrin Metropol. Vepra e autorit Samuel Beckett vjen premierë në teatrin e kryeqytetit me regji nga Arben Kumbaro.
Vepra teatrore “Oh ato ditë të bukura” që është cilësuar si një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga aktorja e njohur Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur, Sokol Angjeli.
Në njoftimin rreth shfaqjes, Teatri Metropol shprehet se “duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij”.
Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore.
Regjisori Arben Kumbaro shprehet për rikthim të shpresës.
“Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë”, thotë regjisori i njohur Arben Kumbaro.
Premiera do të jetë në datën 8 tetor dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit tetor në skenën e Teatrit Metropol. “Oh ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit “Nobel”. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon teatrit absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.
Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë, që ka Hamleti në teatër.
Samuel Beckett, themelues i teatrit absurd
Samuel Beckett është një nga shkrimtarët modernë të shekullit të XX, njëherësh themelues i teatrit absurd.
Beckett (13 prill 1906-22 dhjetor 1989) ishte një shkrimtar avangardist irlandez, dramaturg, skenarist, drejtor teatri, poet, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Paris.
Beckett është ndër shkrimtarët më me ndikim të shekullit të XX. Vepra e tij na sjell një këndvështrim tragjikomik të ekzistencës njerëzore, shpeshherë të shoqëruar me një komedi të zezë dhe humor vrasës, dhe në fundin e karrierës së tij si shkrimtar bëhet në mënyrë rritëse minimalist. Ai konsiderohet një nga shkrimtarët e fundit modern dhe figura kyçe e asaj që Martin Esslin e quajti teatri absurd.
Teatri i absurdit është një stil dramatik i zhvilluar në vitet 1950 dhe 1960 nëpër Europë. Termi u zbatua nga Martin Esslin, një kritik me origjinë hungareze i cili përcaktoi këtë stil të teksteve teatrore në këtë mënyrë në librin e tij të titulluar “Teatri i absurdit”.
Kështu u grupuan një numër i madh i veprave dramaturgjike që projektonin gjendjen njerëzore si një aspekt i pakuptimtë. Një pjesë e këtij koncepti të absurdit mbështetet nga vepra filozofike e Albert Kamysë, “Miti i Sizifit” (1942), një ese në të cilën ai argumenton se jeta njerëzore është e parëndësishme dhe vlera e saj qëndron vetëm në atë që lind nga krijimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



