Dosje

Pecorelli: Prifti në Shqipëri më ndihmoi për eshtrat në makinë. Pastaj gjeta 3 arka me 250 kg ar të pastër në ishull

Davide Pecorelli është kthyer në një personazh mediatik kohët e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Pas dëshmisë në Prokurorinë e Perugias ku tregonte historinë e tij të nëntë muajve si i zhdukur në Pukë dhe zbulimit të “Jetës së ëmbël” që bënte në Vlorë, pak para se të ndalohej, biznesmeni italian ka dhënë detaje në lidhje me inskenimin e vrasjes së tij në Shqipëri.

Në organizimin e eliminimit të tij të sajuar, 45-vjeçari ka përfshirë edhe një prift katolik të njohur në Shqipëri (nuk dihet nëse është shqiptar apo i huaj),  që sipas tij, i ka dhënë idenë për eshtrat e djegura në makinë.

“Situata ishte dramatike në një nivel ekonomik, në atë moment vendosa të bëja vetëvrasje, por së pari – thotë ai për mediat italiane, – shkova te një prift për të rrëfyer. Ishte ai që më tha për mundësinë e eshtrave (të vjedhura). Më tha ‘le t’i fusim në makinë dhe t’i vëmë zjarrin’ ”.

Pecorelli nuk e zbulon emrin e priftit: “Unë kurrë nuk do ta bëj publik, sepse ai është personi që më shpëtoi jetën, kështu që nuk do ta tradhtoj …”.

Ai ka folur edhe thesarin e gjetur në  ishullin Montecristo pranë brigjeve të Livornos, ku ka gjetur 250 kilogramë monedha ari.

“Gjeta thesarin e San Mamilianos, janë tre arka me 250 kilogramë monedha ari të pastra prej pesë gramësh secila”. Dhe ai do të duhej të “ndante gjysmën e monedhave me priftin që më tregoi vendet e zbulimit”.

Në programin televiziv të “Rai”-t, në ‘La Vita in Diretta’ ai tha se kishte gjetur dy nga tre arka në Cala Corfù dhe Cala (ose Punta) Fortezza, disa ditë para se të përpiqej të zbriste në të tretën, në Cala Maestra, ku ai, u përgjua në bordin e gomoneve nga Policia Pyjore.

Misteri mbi zhdukjen e tij në Shqipëri u zbulua të shtunën e shkuar, pasi Pecorelli është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana. Shtypi italian raportoi se me kartën e tij të kreditit, pas 9 muajsh nga zhdukja, është bërë një tërheqje e parave në një bankë në Romë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë