Është hapur mesditën e kësaj të premteje qarkullimi i automjeteve në tunelin numër 5 në nyjen e sheshit “Shqiponja”. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi bëri me dije se lëvizja që hapet nga kjo e premte do të jetë përfundimtare.
Me hapjen e tunelit numër 5, tashmë 3 të tillë do të jenë funksionalë në nyjën e sheshit “Shqiponja”. “Duhet theksuar që rrjedhja e trafikut që do të kemi sot, do të jetë ajo që do të qëndrojë përgjatë gjithë kohës, – u shpreh Balluku. – Kur të përshkojmë tunelin dhe të dalim nga ana tjetër do japim një pamje të saktë të lëvizjes së trafikut”.
Balluku i ka kërkuar qytetarëve që të jenë të kujdesshëm që edhe të gjejnë hyrjen në tunele dhe atë që duan të aksesojnë. “Të ndjekin sinjalistikën dhe sugjerimet e policisë rrugore që do të jenë vendosur në të gjithë zonën”, – vijoi ajo.
Tuneli numër 5 do të mbajë trafikun që vjen nga Durrësi, për të dalë në zonën e “Astir”-it. Me këtë hapje të qarkullimit, pritet të lehtësohet lëvizja e automjeteve në hyrje të Tiranës. Punimet në sheshin “Shqiponja”, deri në hapjen e plotë të tuneleve të tjera, pritet të përfundojnë në mars të vitit 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







