Rend dhe Ligj

Foto-Video/ Goditet rrjeti shqiptar i kultivimit të drogës në Spanjë. Arrestohen 107 persona në një mega-operacion

Në një operacion ndërkombëtar anti-drogë mes Gjermanisë, Spanjës dhe Shqipërisë, janë sekuestruar qindra kg kanabis, asgjësuar mijëra bimë narkotike dhe arrestuar rreth 107 persona.

Në operacionin e koduar me emrin “DOBRA”, raportohet se agjencitë ligjzbatuese të të tre shteteve, në bashkëpunim me EUROPOL-in, kanë goditur një grup kriminal të dyshuar për trafikim të paligjshëm të lëndëve narkotike. Mësohet se janë arrestuar 107 persona, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë.

Tre hetues shqiptarë u vendosën gjithashtu në Spanjë në Madrid në kuadër të Projektit IPA2019 që synonte të luftonte krimin e organizuar serioz në Ballkanin Perëndimor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ndodhet në Madrid, tha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp se policia shqiptare është një partnere e besueshme në luftën kundër organizatave të trafikut të drogës.

“Ne do të vijojmë në vendin tonë duke parë dhe investiguar në të gjitha pronat e shtetasve shqiptarë të përfshirë në këtë rrjet dhe të kapur gjatë operacionit policor, - tha Veliu. - Duke i godiutur në pjesën ekonopmike, i japim një goditje shumë të fortë këtij krimi të organizuar”.

Gjatë megaoperacionit, u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj. Ndërkohë janë konfiskuar 70 mijë euro para të gatshme dhe automjete të nivelit të lartë.

Ky grup kriminal i organizuar, ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e tij të arrestuar kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.

Kriminelët po devijonin furnizimin me energji elektrike për të kultivuar ilegalisht bimët në ambiente të mbyllura. Sipas EUROPOL, vlerësohet se energjia elektrike e vjedhur arrin në mbi 1.6 milionë € në të ardhura të humbura të shërbimeve.

Në ditën e aksionit, një post komandues virtual u krijua nga Europol për të siguruar koordinim të përsosur midis të gjitha autoriteteve të përfshira.  Një nga ekspertët e saj u vendos në vend në Spanjë për të lejuar kontrolle të të dhënave kundër bazave të të dhënave të Europolit të mbledhura gjatë aksionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë