Kryebashkiaku i Vlorës ka pranuar se zjarrfikësit e këtij qarku nuk janë paguar sipas ligjit për orët shtesë të punës për shkak të kufizimeve ligjore, por pa specifikuar se cilat ishin ato.
Megjithatë, në një komunikim për mediat këtë të shtunë ai tha se ata do të paguhen për këto orë pune.
“Zjarrfikësit janë paguar të gjithë për orët e punës së zakonshme. Janë paguar edhe për orët shtesë dhe do të paguhen për të gjitha orët shtesë që kanë ngelur pa paguar për arsye të kufizimeve ligjore që ka për pagesën e tyre. Punonjësit e zjarrfikëses do paguhen për çdo orë punë”, tha ai.
Sipas një vendimi të qeverisë të prillit të vitit 2019, Bashkia e Vlorës duhet të paguante çdo punonjës të këtij shërbimi 25% më shumë për çdo orë pune shtesë gjatë javës, 50% për çdo orë pune gjatë pushimit të fundjavës dhe po kaq nëse kanë punuar gjatë natës. Paga e një zjarrfikësi varijon nga 40 mijë lekë në 55 mijë lekë në varësi të gradave.
Zjarrfikësit e Vlorë po përballen me një situatë të vështirë në këtë qark, duke rrezikuar dhe jetën, ku zona të ndryshme janë përfshirë nga zjarret massive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




