Ngjarje

Vlorë, zjarrfikësit në luftë me flakët, por prej dy muajsh nuk kanë marrë pagat e orëve shtesë

Rreth 30 forca zjarrfikëse të Vlorës prej dy muajsh nuk janë paguar për orët shtesë të punës. Edhe pse kanë vënë në rrezik jetën e tyre për shkak të situatës së rëndë të zjarreve në këtë qark, punonjësit janë lënë pa paga nga ana e bashkisë.

Qe nga data 12 qershor, kur është vendosur të qëndrojnë në gatishmëri, zjarrfikësit duhet të qëndrojnë 6 orë në repart pas turnit.

Ata kanë marrë vetëm 20 orë pune, ndërkohë që kanë 90 orë plus, të cilat janë gati 30 mijë lekë që u duhet paguar nga ana e Bashkisë Vlorë.

Po ashtu rrobat e zjarrfikëseve, pantallona, bluza dhe materiale, kanë vite që nuk i kanë marrë dhe çdo gjë e blejnë me shpenzimet e tyre.

Ndërkohë kreu i bashkisë, Dritan Leli i ka premtuar se deri ditën e hënë do të bëhet dhe likuidimi i tyre, duke marrë dhe paratë e prapambetura.

Në të kundërt ata do shkojnë në dyert e bashkisë për të kërkuar pagat e prapambetura shtesë.

Në buxhetin e vitit 2021 për këtë bashki, fondi i pagave për personelin e zjarrfikësit, ku përfshihen komisar zjarrfikës, kryeinspektor zjarrfikës, krye-zjarrfikës, zjarrfikës, asistent zjarrfikës, është mbi 33 milionë lekë.

Nga fondi, 5.5 milionë lekë është i përcaktuar për orët shtesë dhe qëndrimin në gatishmëri, ndërsa paga mujore e një zjarrfikësi në Vlorë shkon deri në 46 mijë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë